Shqipëria, kamp refugjatësh? Rama: Vendi s’do presë emigrantë për interes të vendeve të pasura

Qeveria shqiptare e përjashton mundësinë e ngritjes së një kampi refugjatësh për llogari të Britanisë. Edhe pse mediat britanike raportojnë për negociata që po zhvillohen mes dy shtetet, Kryeministri hodhi poshtë idenë që Shqipëria të kthehet në një vend mikëpritës të emigrantëve të paligjshëm për t’u ardhur në ndihmë vendeve të pasura.

A do të kthehet Shqipëria në një kamp refugjatësh për llogari të Britanisë? Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk i përgënjeshtron mediat britanike nëse ka patur negociata për këtë çështje, por para gazetarëve hodhi poshtë idenë se vendi ynë do të vihet në shërbim të kërkesave të Perëndimit.

Rama: Nuk jam këtu për të shpjeguar se pse i bëjnë këto. Meqë më pyesni, Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do të krijojnë kampe për refugjatët e tyre, asnjëherë.

Lajmin e mediave britanike, Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka i ka cilësuar Fake News. Më i qartë se Rama dhe Xhaçka ishte Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili e përjashtoi si mundësi në mënyre kategorike.

Sipas  britanikes "The Times" autoritetet shqiptare dhe ato britanike po negociojnë për ngritjen e një kampi refugjatësh, i cili do të presë emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë në Britani.

Shqipëria vetëm pak kohë më parë ka pranuar që të strehojë 4 mijë afganë, si një vend tranzicioni.