Ekonomia në kohën e komunizmit, Hoxha: Ishte ekonomi monopoliste
Një pyetje vjen gjithnjë në debatin publik kur flasim për komunizmin është nëse u zhvillua ekonomikisht Shqipëria gjatë periudhës komuniste. Për studiuesit që morën pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti për Krimet e Komunizmit, vendi ynë nën izolimin komunist vetëm sa ka bërë prapa ekonomikisht dhe politikisht.
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit mbajti këtë të mërkurë një konferencë për ekonominë socialiste në Shqipëri nga fillimi i periudhës komuniste në vitin 1945 deri në 1990-ën.
Për studiuesin Çelo Hoxha, kreu i Institutit, ajo që ne quajmë ekonomi socialiste, ishte në të vërtetë ekonomi monopoliste.
"Ekonomia në komunizëm është varianti më ekstrem i monopolit, se monopolet ekzistojnë në shoqëritë e tregut të lirë. Monopolet fillojnë në fushën ekonomike dhe pastaj shtrijnë ndikimin në politikë, por gjithmonë jo në këtë masë sa në komunizëm," tha ai.
Për studiuesin Afrim Krasniqi, sistemi komunist u rrëzua nën peshën e vetë për shkak të dështimit ekonomik, por nuk u arrit të ndërtohej dot një klimë e tregut të lirë në fund të sistemit.
Me ardhjen e komunizmit në Shqipëri në vitin 1945, hendeku mes vendeve të zhvilluara dhe Shqipërisë vetëm sa u thellua.
Statistikat tregojnë se Shqipëria, megjithëse një vend i varfër dhe i prapambetur që përpara luftës, u izolua dhe u varfërua edhe më shumë në krahasim me rajonin dhe botën.
