Rreth 54% e shqiptarëve flasin me lekë të vjetra, BSH: Banka: Termi i gabuar përdoret në tregje dhe transportin publik

Më shumë se gjysma e shqiptarëve flasim me lekë të vjetër. Për këtë Banka e Shqipërisë ka vendosur të hapë një fushatë ndërgjegjësuese ‘As i vjetër e as i ri, jam thjesht lek.

54% e shqiptarëve flasim me lekë të vjetër. Është ky përfundim i një anketimi të realizuar nga Banka e Shqipërisë për matjen e shkallës së përdorimit të termit ‘Lek i ri- Lek i vjetër.

Rezultatet u bënë të ditura nga Guvernatori Gent Sejko, i cili prezantoi dhe fushatën më të re ndërgjegjësuese të Bankës së Shqipërisë, “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”

"Rezultatet e mbledhura nga anketa tregojnë se të vendosur përballë një kartëmonedhe 500 Lekë më shumë se gjysma e të intervistuarve instinktivisht e lexojnë  apo e identifikojnë gabim vlerën e saj, duke i shtuar një 0 për ta kthyer në “lek të vjetër”. Në Shqipëri, monedha kombëtare është Leku dhe vlera nominale e çdo monedhe apo kartëmonedhe është ajo e shkruar mbi të," tha Sejko.

Sejko sqaroi gjithashtu se ku haset më shpesh terminologjia e gabuar në lidhje me vlerën reale të kartëmonedhave.

"Ambientet në të cilat të anketuarit shprehen se flasin me “lek të vjetër”, janë kryesisht ambientet joformale apo familjare: dyqanet e vogla apo tregjet e fruta/perimeve; bisedat me familjarë, miq dhe kolegë; të ndjekur nga mjetet e transportit publik," shtoi ai.

Ky fenomen sipas Guvernatorit Sejko përdoret më së shumti nga të moshuarit, personat që nuk janë aktivë në punë dhe ata me nivel të ulët arsimor.

Për këtë, Banka e Shqipërisë do të zhvillojë seminare në shkolla apo institucione të mëdha publike për të krijuar kulturën e edukimit financiar.