Meta: Shkarkimin tim nuk e kam fare në axhendë, tani po i kuptojmë ata që nxitën djegien e mandateve
Ilir Meta e cilëson si një çështje me të cilin nuk merret fare ai lidhur me shkarkimin e nisur nga mazhoranca, duke thënë se nuk ekziston si çështje në axhëndën e tij.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Ora e Betit” nga Beti Njuma në RTV Ora, ai tha se jo gjykata Kushtetuese, por edhe gjithë bota e ka pasur të pamundur përpara 25 prillit të shkarkonte Presidentin e Republikës.
Sipas tij, një nga qëllimet e atyre që nxitën djegien e mandateve, që nxitën lojërat për zgjedhjet vendore dhe gjithë ato kriza që u krijuan në Shqipëri, tani po kuptohet qartë si u krijuan dhe kush i krijoi.
Pyetje: Po kjo Gjykatë Kushtetuese pritet gjithashtu të vendosë edhe për kushtetutshmërinë e vendimit të Parlamentit të kaluar për shkarkimin tuaj. Çfarë do të bëjë Presidenti Ilir Meta në rast të një vendimi për shkarkim?
Presidenti Meta: Presidenti nuk merret fare me këtë çështje. Me këtë çështje merret vetëm Këshilltari Juridik i Presidentit të Republikës. Kemi disa këshilltarë, por Këshilltari kryesor zoti Bledar Dervishi. Kjo është një çështje që nuk ekziston fare në axhendën e Presidentit të Republikës Ilir Meta! Nuk ekziston fare një çështje e tillë!
Pyetje: Edhe në rast se Gjykata Kushtetuese vendos për shkarkimin tuaj?
Presidenti Meta: Nuk ekziston kjo gjë! Jo gjykata, por edhe gjithë bota e ka pasur të pamundur përpara 25 prillit të shkarkonte Presidentin e Republikës! Dhe sot mund t’ju them se edhe një nga qëllimet e atyre që nxitën djegien e mandateve, që nxitën lojërat për zgjedhjet vendore dhe gjithë ato kriza që u krijuan në Shqipëri, tani po kuptohet qartë si u krijuan, kush i krijoi, dhe që janë më të hershme se sa mendoni ju dhe ne: Ata kishin plan edhe shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, por nuk ishte ky problemi. Kishin në plan që edhe Gjykata Kushtetuese të kapej që para tri vitesh me shpejtësi.
I mbani mend ato që betoheshin te Lana apo nuk i mbani mend? I harruat ju këto gjëra dhe thoni: Ku jemi pas kaq kohësh në Shqipëri. I harruat! Harrojini! Se ju serviren lajme të tjera: Çfarë ka veshur Presidenti sot! Apo Presidenti e rriti tonin aty! Shikoni ata fermerët atje që po falimentojnë! Ai është problemi i Shqipërisë, sepse në qoftë se bie mbjellja 30%, bie prodhimi aq, në invers shtohet numri i njerëzve që ikin. Se po nuk u mbështet bujqësia, po nuk u mbështet turizmi, do të ikin njerëzit se njerëzit e Shqipërisë me këto jetojnë, nuk jetojnë me reklama!

