"Gjuha e rrugës, kryefjalë e opozitarizmit në parlament", Rama i drejtohet PD: Ato që doni nuk i bëni dot pa ne
Kryeministri Edi Rama në fjalën që ka marrë në parlament ka kritikuar sërish opozitën duke thënë se në parlament përdorin fjalët e fundit të rrugës.
Edi Rama: Jam i vetmi kryeministër që kam kërkuar ndjesë dhe nuk do ta kisha për ulje, përkundrazi do të ndjehesha edhe një herë krenar të kërkoja ndjesë po të kishte vend për ndjesë. Këtu nuk vend për ndjesë. Ju mund të ktheheni sa herë të doni me gisht duke treguar me radhë , gra burra pas kurrizit tim, me fjalët më të ulëta dhe duke e legalizuar , fjalën kriminel , trafikant….Jam shumë i kënaqur që në fjalimet e mia nuk do të gjendet asnjë rast kur unë një person ta kem etiketuar personalisht si kriminel apo si hajdut. Jo se nuk kam pasur përballë të tillë , po është gjuhë shumë e ulët, për lartësinë që unë synoj kur flas dhe për respektin që unë kam për njerëzit dhe veten dhe për ata që na kanë zgjedhur.
Unë nuk e ul dot veten në atë nivel ku fjala e fundit e rrugës është bërë kryefjalë e opozitarizmit këtu në parlament.
Rama tha se në rast se këputen urat e komunikimit mes palëve, PD do gjejë te PS vetëm një mirësjellje formale, ndërsa ka shtuar se PD nuk mund të bëjë ato që ka ndërmend pa PS, duke lënë të nënkuptohet se fjala është për reformat që opozita do të realizojë. Rama i kërkoi opozitës të mos ngrenë gishtat me akuza e fjalë të ulëta nëse duan që të kenë bashkëpunimin e tyre.
Edi Rama: Unë e kuptoj shumë mirë çfarë ishte ajo që ndodhi dje dhe sot në aspektin e tensionit që ju keni por nëse doni ta ktheni timonin në atë rrugë. Është e drejta juaj por mos prisni që nga kthimi i timonit në atë rrugë dhe këputja e urave të komunikimit me dhunë në këtë foltore, të gjeni tek ne veçse një mirësjellje formale. Ato që keni ndërmend të bëni nuk i bëni dot pa ne. Nëse doni bashkëpunimin tonë dhe nëse doni që ne t’iu dëgjojmë jo vetëm formalisht me respekt. Deri më sot askush nga ana jonë nuk ka ndërprerë asnjë prej jush. Nga kjo anë kur flitet nuk drejtohen gishtat. Zgjedhja është e juaja.
