Bozdo: Kryesia humbi një mundësi për bashkim, PD në krizë, dy kuvendet si telenovelë
Në një intervistë për RTV Ora, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Enno Bozdo u shpreh se në mbledhjen e kryesisë është humbur një rast për të debatuar problematiken që është në PD dhe për ta bashkuar këtë forcë politike.
Ai tha se Foltorja e Berishës e ka përshpejtuar hendekun në PD, duke theksuar se partia është në krizë dhe duhet bashkim.
Bozdo: Ne dje në mbledhjen e kryesisë kemi humbur një rast për të debatuar problematiken që është në PD dhe për ta bashkuar këtë forcë politike. Nuk e prisja një shpallje tjetër kuvendi, sepse nuk mendoj se demokratët duhet të kthehen në topa ping-pongu. Pavarësisht synimeve të Berishës, mendoj se firmat janë të mjaftueshme për të hapur një debat për të ardhmen e PD-së. Kjo problematikë ka qenë aty qysh nga humbja e 25 prillit dhe ka pasur mjaft zëri për një qasje të re të PD-së. Kishte nga ata që mënyra e të bërit opozitë e Bashës e kishte shteruar partinë.
Foltorja e Berishës e ka përshpejtuar këtë hendek. Është përgjegjësia e kryetarit të partisë, pavarësisht motiveve që ka, ka përgjegjësinë për të mos e përçarë partinë dhe të tregojë rrugën e vërtetë drejt një bashkimi. Kjo nuk është një lojë numrat sepse ne kemi elefantin në dhomë, mosbesimi ndaj Bashës dhe kriza është aty. Një lider i përgjegjshëm ose bën një hap pas dhe thotë se deri këtu është, ose zgjedh që të përballet me problematikat. Berisha është vetëm një nga problematikat. Këto probleme janë aty dhe nuk zgjidhen duke shpikur një Kuvend të ri. Firmat janë aty dhe nëse nuk janë 4200, janë 2000 që janë më se të mjaftueshme.
Bozdo shtoi se kryesia është e dominuar nga njerëzit e Bashës dhe çështja e kuvendit është kthyer në një telenovelë.
Bozdo: Ne kemi humbur një shans shumë të mirë, pasi kryesia ishte e dominuar nga njerëz të emëruar nga Basha. Basha ka dhënë shenjën e zhvillimeve negative në PD dhe tashmë duhet gjakftohtësi nga të gjithë për të ecur para. Nëse nuk ka bashkim dhe unitet Rama do të mbretërojë. Nuk po merret më njeri me buxhetin dhe ankesat e grupeve të interesit, apo me gjërat e tjera, por të gjithë po merrem me situatën në PD. Kemi hapur një telenovelë kuvendesh, kuvend njëri dhe kuvend tjetri. Sigurisht që kuvendi i 11 dhjetorit do të jetë test për Bashën.

