Dokumentet me gabime, Bashkia e Durrësit anulon tenderin për projektin “Veliera”
Bashkia e Durrësit ka anuluar tenderin për projektin “Veliera”, procedurat e të cilit i hapi në muajin tetor dhe më 8 nëntor pritej të shpallej firma fituese që do të realizonte punimet për “Fazën e katërt të sheshit publik para hyrjes së portit Durrës”.
Ora News, mëson se Bashkia e ka anuluar tenderin për arsye se “dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.
Nuk dihet se cilat janë gabimet apo mangësitë e rëndësishme në dokumentet e tenderit, pasi ato nuk specifikohen në njoftimin e bashkisë.
Faza e katërt e punimeve tek “Veliera” pritej të zgjaste 1 vit, duke e shtyrë kështu edhe më shumë kohën e përfundimit të këtij projekti që është shoqëruar me kontestime të shumta, që në nisje të tij.
Tenderi për fazën e katërt të punimeve tek “Veliera” kishte vlerë 248 milionë lekë të reja ose rreth 2.5 miliardë lekë të vjetër dhe fondi do të përdorej për mbulesën përfundimtare të tendës, pra për realizimin e veshjes së sipërme të strukturës.
E nisur më shumë se 4 vite më parë, “Veliera” ende nuk ka përfunduar, ndërkohë që majin e vitit 2020 ajo kërkoi një fond shtesë prej 850 milionë lekë, e cila u shpjegua si shtesë kontrate.
Veliera ishte projektuar për të ndërtuar një shesh të ri përballë kullës veneciane dhe hyrjes së portit të Durrësit, me sipërfaqe 12 mijë metra katrorë.
Fillimisht projekti u prezantua nga ish-kreu i bashkisë, Vangjush Dako, dhe u tha se do të kushtonte 4 milionë dollarë, të financuara një pjesë nga bashkia dhe një pjesë nga qeveria.
Në vitin 2020, veç shifës 4 milionë dollarë, u shtua edhe një fond prej 85 milionë lekësh, që bashkë me vlerën e fundit të vënë në dispozicion nga Bashkia shkon në plus 3.1 milionë dollarë nga shifra fillestare.

