Flamur Noka: Më 11 dhjetor shpëtojmë PD nga kthetrat e Edi Ramës e George Soros
Deputeti Demokrat Flamur Noka e quan “nul” vendimin e kryesisë që e quan "ilegjitime" dhe “antimiting” Kuvendin e 18 dhjetorit e thirrur mbrëmë nga selia PD.
Në një intervistë për Ora News, Flamur Noka beson se në kuvendin e 11 dhjetorit PD do të çlirohet nga kthetrat e Ramës e George Soros.
" Pengu e ushtarët e tij mund të vazhdojë të rrijë peng i Edi Ramës por PD nuk është peng e nuk do të rrijë peng" thotë Noka në intervistën dhënë gazetarit Arnold Kariqi.
Intervista e plote
Ora News: Me mbledhjen e djeshme PD tashmë ka dy data kuvendesh: 11 dhjetorin e Sali Berishës dhe 4200 demokratëve dhe 18 dhjetorin e Lulzim Bashës me 26 anëtarë të kryesisë së PD-së. Cili kuvend do të jetë i vlefshëm?
Flamur Noka: Demokratët kanë një dhe vetëm një kuvend. Atë të thirrur nga përfaqësuesit e tyre. Ata janë 4200 kryetarët e seksioneve dhe anëtarët e kryesive të degëve të PD-së në të gjithë Shqipërinë. Çdo gjë tjetër është antimiting. Lulzim Basha nuk ka thirrur kuvend. Na kujton vullnetarët e Enverit. Kur Sali Berisha thërriste mitingje, Ramiz Alia nga ana tjetër dhe ata thërrisnin antimitingje. Demokratët nuk mund ti përfaqësojë askush veçse anëtarësia. Anëtarësia është shprehur për të mbledhur kuvendin më 11 dhjetor. Çdo gjë tjetër është antimiting.
Ora News: Zoti Bardhi e cilësoi si miting, ndërsa 18 kuvend të PD-së
Flamur Noka: 18 është antimiting. Çdo shkresë e dalë nga një kryesi ilegjitime është nul. Pas datës 10 nëntor fuqia u ka kaluar demokratëve, të cilët janë shprehur për të mbledhur një kuvend kundër atyre që janë ilegjitim.
Ora News: Çfarë u diskutua mbrëmë në kryesinë PD?
Flamur Noka: Çfarë mund të diskutojë një kryesi ilegjitime veçse vendimmarrje të paligjshme që mund të shkatërrojë PD-në.
Ia kam bërë me dije dhe më përpara por dhe mbrëmë në sy të kryesisë. Kemi parë papërgjegjshmëri totale të anëtarëve të kryesisë ilegjitime. Në atë kryesi vetëm 15 anëtarë janë zgjedhur me votim të fshehtë. Të gjithë të tjerët janë emëruar prandaj Lul Basha e të emëruarit e e tij nuk kanë asnjë tagër për të marrë vendime.
Mund të bëjnë çtë duan por nuk mund të marrin asnjë vendim në emër të demokratëve. E kanë kërkuar 4200 përfaqësues të demokratëve, të marrë një vendim para datës 10 nëntor por nuk ka ndodhur. Pas datës 10 ka hyrë në fuqi kërkesa për thirrjen e kuvendit. Në momentin që ¼ e Kuvendit atëherë çdo organ tjetër duhet të vijë si pakicë në kuvend. Çdo vendmimmarrje është nul. Mund ta njohë Luli, Gazi e George Soros por nuk e njohin demokratët shqiptarë
Ora News: Çfarë do të ndodhë? Mund të ketë përplasje në radhët e PD-së?
Flamur Noka: Asnjë përplasje. Më 11 është kuvendi i PD-së, më 18 Kuvendi i ushtarëve të George Soros. Kaq.
Ora News: A pritet të ketë depozitim të firmave të tjera.
Flamur Noka: Numri i firmëtarëve deri tani po kap shifrën e 4500. Mbledhja e firmave do të vijojë deri më datë 10 dhjetor. U jemi mirënjohës demokratëve se po bëjnë gjithçka për të shpëtuar PD nga kthetrat e Edi Ramës e George Soros. Të gjithë janë të ndërgjegjësuar dhe kërkojnë shpëtimin e PD-së nga kthetrat e pengmarrjes. Pengu e ushtarët e tij mund të vazhdojë të rrijë peng i Edi Ramës por PD nuk është peng e nuk do të rrijë peng.
Ora News: Gazmend Bardhi thotë se nuk i keni 4200 firmat
Flamur Noka: Bardhi është ngujuar në bunker me Bashën e njohin vetëm perimetrin e bunkerit. Baza është tjetër. Nga bunkeri nuk mund të njohësh kurrë realitetin.
Ora News: A ka nisur punën Basha për mbledhjen e kuvendit 18 dhjetor? Ju me informacionet që keni në terren a ka probleme apo presione për eksponentët që të marrin pjesë
Flamur Noka: Presionet nuk kanë pushuar por më vjen mirë që asnjë nuk do tia dijë për presionin e ushtarëve të George Soros. Është e qartë ushtarët e George Soros po tentojnë të mbajnë peng PD-në për hesap të Edi Ramës me qëllim që ai të përjetësohet në pushtet. Demokratët janë ndërgjegjësuar dhe nuk pyesin. Më 11 dhjetor do të jetë kuvend demokratësh të pastër e të lirë që e duan PD-në dhe Shqipërinë.
Ora News: A mund të shkojmë në një kalvar përplasjesh të gjatë në gjykata?
Flamur Noka: Më 18 do shikoni ushtarët e Georgë Soros në minorancë qesharake që do i braktisin të gjithë demokratët vetëm po e mbushën me njerëz të PS-së. Vetëm po i ndihmoi Edi Rama. Tani që po flasim kam informacion pafund se në Tiranë Erion Veliaj ka shpërndarë ushtarët e tij duke i bërë presion apo duke i kërkuar të bëjë favore delegatëve në shkëmbim të mospjesëmarrjes më datën 11 dhe pjesëmarrjes më 18 dhjetor. Dihet tashmë Erion Veliaj është një nga luftëtarët më të zjarrtë që peng kryetari ka për mbledhjen e kuvendit të 18 dhjetorit. Gjithashtu shumë titullarë të qeverisë së zotit Rama janë duke luftuar kundër pjesëmarrjes në datën 11 dhe pjesëmarrjen më 18 dhjetor.
Ora News: Po thoni se zoti Veliaj po ndërhyn?
Flamur Noka: Po në fshatrat e Tiranës, i kam me emra. Janë thirrur delegatë nga njerëzit e Erion Veliajt, duke I bërë presion, qoftë duke i thënë që do ju favorizojmë me leje ndërtimi apo vende pune të familjarëve në shkëmbim të mbështetjes së Lulzim Bashës. Kemi dhe emrat dhe do I shpallim kush ka bërë këtë Pazar. Në 11 dhjetor do të shkojmë në Kuvend për të shpalosur një plaformë që do të rrëzojë regjimin Rama- Basha.