U rrëmbyen nga piratët në Nigeri, kthehen në Tiranë babë e bir: Shteti shqiptar nuk bëri asgjë

Pas disa muajsh heshtje në lidhje me një ngjarje të dhjetorit të vitit të kaluar, Mark dhe Ndoj Shytani, babë e bir, të deklaruar si pengje të piratëve në Nigeri, janë rikthyer në atdhe.

Burime bëjnë me dije se ata ndodhen në Tiranë dhe i janë rikthyer aktivitetit të tyre si punonjës të një servisi.

Të njohurit e tyre rrëfejnë se janë paguar një shumë e konsiderueshme parash në rrugë private për të bërë të mundur lirimin e Mark dhe Ndoj Shytanit nga pengmarrja e piratëve në Nigeri.

Nga ana tjetër ata pretendojnë se shteti shqiptar nuk bëri asgjë konkrete për t’i nxjerrë nga kurthi që iu ishte ngritur.

 “Kanë qëndruar rreth 4 muaj në Nigeri, i kanë lëvizur sa në një vend në një tjetër për të mos rënë në gjurmë. Janë trajtuar mirë, nuk janë dhunuar dhe ka pasur ushqim e veshmbathje të rregullt ndaj tyre. Janë zhvilluar negociata private dhe është rënë dakord që kundrejt një vlere të konsiderueshme parash, të liroheshin. Shteti nuk bëri pothuajse asgjë. Asnjë reagim as publik e as privat për ngjarjen. Ndoj dhe Marku nuk duan ta ndjekin këtë çështje pasi nuk i shohin ndonjë zgjidhje, çfarë ka ndodhur ka ndodhur." – shprehet një i afërm.

Burime bëjnë me dije se piratët kërkonin para për lirimin e pengjeve, por Shqipëria nuk ndërhynte dot pasi gjithçka varet nga Kameruni dhe Bullgaria ku ishte blerë mjeti.

Por çfarë ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar?

Ngjarja u raportua në atë kohë nga mediat ndërkombëtare ndodhi në portin Lagos. Anija “Stevia" me pronar Nikolin Gjergjin, ishte e ngarkuar me gips, pluhur dhe hekur që ishte nisur nga lindja e mesme drejt Evropës për llogari të kompanisë “Envi and E.E.”.

Mjeti lundrues ishte blerë nga Nikolin Gjergji në Bullgari pranverën e vitit 2020, ndërsa anija mbante flamurin e Kamerunit dhe rezulton e regjistruar në këtë shtet, ku kishte ndaluar të blinte edhe ngarkesa me destinacion Portin e Lagos.

Nëntë pengje, dy prej të cilëve nga Shqipëria, u raportuan se ishin marrë nga një sulm i piratëve 52 kilometra larg brigjeve të Nigerisë.

Babë e bir janë me origjinë nga një fshat i thellë i Shkodrës, me emrin Shllak dhe jetojnë prej 20 vitesh në Tiranë.

Zona e Gjirit të Guinesë në Afrikë, është rajoni më aktiv ekonomik dhe i pasur me naftë. Kjo është edhe një nga arsyet pse aktiviteti i piratëve në rajon është rritur vitet e fundit.