Beteja brenda PD-së, Berisha vijon “Foltoren”, Basha do të urdhërojë degët për Kuvendin e 18 dhjetorit

Beteja brenda Partisë Demokratike nga pasditja e së hënës ka marrë një rrugë tjetër, me vendimin e Lulzim Bashës për të mbledhur Kuvendin Kombëtar me 18 dhjetor.  Ish-kryeministri Berisha vijon foltoren për 11 dhjetorin, ndërsa Lulzim Basha do të urdhërojë degët për procesin e mbledhjes së Kuvendit në 18 dhjetor.

Një ditë pasi kryesia  me propozim të Lulzim Bashës  vendosi të thërrasë në 18 dhjetor Kuvendin Kombëtar, Sali Berisha nuk është tërhequr nga qëllimi.

Ai do të vazhdojë ‘Foltoren” me demokratët dhe këtë të martë do të ndalet në Fushe Krujë, ndërsa është i vendosur ta mbledhë Kuvendin Kombëtar me 11 dhjetor nga ku parashikohet edhe ndryshimi i statutit të kësaj force politike. 

Akuzat dhe qëndrimet mes palëve janë të njëjta, e vetmja gjë që ka ndryshuar dhe është vulosur është fakti se Lulzim Basha nuk e njeh atë Kuvend dhe as nuk do ta marrë mundimin për të verifikuar 4200 firmat e pretenduara të cilat qëndrojnë në kasafortë, në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. 

Teksa Sali Berisha quan 'nul' vendimin e Kryesisë, Partia Demokratike e konkretisht Sekretari i përgjithshëm ka nisur përgatitjet për Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit.

Ai do të urdhërojë kryetarët e degëve për të nisur procesin ndërsa nuk përjashtohet mundësia që edhe ai vetë të jetë në terren për të garantuar procesin.

Lulzim Basha ka garantuar se Partia Demokratike do të jetë e hapur për çdo platformë, propozim apo sugjerim edhe të kundërshtarëve të tij, për t'ia bashkangjitur programit tashmë të bërë publik të Kuvendit Kombëtar.

Debatet dhe përplasjet duket se do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme ajo çfarë mbetet për tu parë është fakti kush do ta ketë shumicën në Kuvendin Kombëtar.