Fati i 18 milion eurove të sekuestruara, Shqipëri-Itali do ta zgjidhin me marrëveshje kush do t'i marrë
18 milion eurot e sekuestruara për llogari të SPAK do të qëndrojnë të bllokuara deri në momentin që Gjykata do të marrë një vendim. Nëse vërtetohet akuza e pastrimit të parave sasia e sekuestruar i kalon me marrëveshje te dy shteteve Italisë dhe Shqipërisë, që kanë hetuar në lidhje me këtë rast.
Cili shtet do t'i marre 18 milion eurot e sekuestruara në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, nëse edhe Gjykatat vërtetojnë se janë si pasojë e aktivitetit kriminal. Burime nga Prokuroria kanë bërë me dije për RTV Ora se kjo i përket fazës përfundimtare të gjykimit, pasi gjykatat të marrin vendim në lidhje me të arrestuarit, të cilët akuzohen për pastrim parash.
Nëse edhe nga Gjykata do të vendoset se të pandehurit janë fajtor për akuzën e pastrimit të parave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe kjo provohet, atëherë çështja se cili nga shtetet i përfiton paratë e sekuestruara zgjidhet me marrëveshje dypalëshe.
Sasia e eurove është sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme ne muajin gusht të këtij viti ndërsa biznesmeni i hidrokarbureve Rezart Taçi kishte dalë garant për pastrimin e tyre.
Në përgjimin e datës 6 tetor 2021 Taçi i thotë sipërmarrësit italian Francesco Zummo se paratë ja garantonte me asetet e tij dhe të mos kishte merak.
Pas hapjes se llogarisë më 18 qershor në Mal të Zi e në Tiranë transaksionin e kalimit nga llogaria e Zummo tek e Taçit do ta bënte financieri Fabio Petruzella .
Mësohet se ky i fundit ka ardhur tre herë në Shqipëri pas 18 qershorit dhe kishte prokurë nga Zummo për të kryer veprimet.
Por banka i kishte sekuestruar paratë për llogari të SPAK dhe nuk ia ka pranuar veprimin duke e gënjyer se paratë nuk kishin ardhur ende. Paratë ishin bllokuar në nga zyra qendrore e bankës pa kaluar në filialin ku dy të afërmit e Rezart Taçit kishin hapur llogarinë.
