Veliera “rrëmben” edhe 248 mln lekë, projekti nisi me 4 milionë dollarë, ju shtuan 3.1

Projekti i Velierës në Durrës vijon të marrë shuma të mëdha parash nga taksapaguesit. Së fundmi Bashkia ka hapur një tender me vlerë 248 milionë lekë që i shtohet vlerës së 85 milionë lekëve që Bashkia dha në 2020, duke shkuar gati dyfish sa shifra fillesatare që është prezantuar që do të ishte 4 milionë euro.

I prezantuar si projekt në fund të vitit 2016, Veliera e Durrësit ende është një kantier ndërtimi.

Pavarësisht se punimet janë shtyrë herë pas here, ndërtimi vijon të gllabërojë shuma të mëdha parash nga buxheti i Durrësit, i cili është goditur rëndë si nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por edhe nga pandemia e koronavirusit.

Së fundmi, Bashkia ka hapur një tender që mban firmën e kryebashkiakes në detyrë Emirjana Sako dhe që kap vlerën e 248 milionë lekësh.

Sipas njoftimit të Bashkisë kjo është faza e fundit e këtij projekti, dhe koha e përfundimit të tij është nëntori i 2022.

Fillimisht projekti u prezantua nga ish-kreu i bashkisë, Vangjush Dako, dhe u tha se do të kushtonte 4 milionë dollarë, të financuara një pjesë nga bashkia dhe një pjesë nga qeveria.

Në vitin 2020, veç shifës 4 milionë dollarë, u shtua edhe një fond prej 85 milionë lekësh, që bashkë me vlerën e fundit të vënë në dispozicion nga Bashkia shkon në plus 3.1 milionë dollarë nga shifra fillestare.

Qytetarët e Durrësit vijojnë të kundërshtojnë këtë ndërtim.

"Po punohet me zhduk çdo vlerë të Durrësit."

"Si qytetar ndjej dhimbje që kanë vrarë qytetin tim, kjo është vrasja e fundit që po i bëjnë qytetit.Kjo është grabitja e fundit ose e radhës."

"Që kur ka filluar Veliera ka krijuar probleme dhe shqetësime jo vetëm për shqetësimet e mëdha po si monument që ka shkatërruar historinë e këtij vendi."

Që nga nisja e projektit deri më tani shoqëria civile dhe arkeologët kanë protestaur e kundërshtuar duke thënë se me ndërtimin e tij është prekur zona A arkeologjike, ndërsa gjyqet e njëpasnjëshme nuk e kanë ndalur ngritjen e instalacionit prej çelikut në fund të bulevardit “Dyrrah”.