Zgjedhjet vendore në Kosovë, Kraki: VV nuk ka treguar sukses as në të kaluarën dhe as tani

Ditën e djeshme u zhvilluan zgjedhjet lokale në Kosovë, ku Vetëvendosje fitoi vetëm katër komuna. Në lidhje me këtë Kryeministri Albin Kurti tha se ky rezultat erdhi si pasojë e disa defekteve të brendshme.

Deklaratën e kreut të qeverisë së Kosovës si dhe procesin e zgjedhjeve në Kosovë e ka komentuar pedagogu Nerzir Kraki.

Në një intervistë për RTV ORA, me gazetarin Sebastian Zonja, pedagogu është shprehur se problemet e brendshme brenda VV nuk i kanë dhënë mundësi kësaj force politike që të selektojë kandidatët për zgjedhjet lokale.

Nerzir Kraki: Deri tani vonë Kurti nuk ka hezituar ta rikujtoj fitoren e tij në çdo takim, për të thënë se ekziston një mbështetje e gjerë në nga opinion për qeverinë e tij.  Votuesi bëri dallimin mes interesit apo dosjeve të mëdha strategjike që kanë të bëjnë me Kosovën si shtet. Problemet e saj të brendshme në VV nuk ja kanë mundësuar që të seleksionojë kandidatët, për të evituar profilet si në rastin e Mitrovicës që ishte ofendues për  çdo person që ishte atje. Ky ishte gabim i VV.

Më tej ai thotë se VV nuk ka treguar sukses as në të kaluarën kur ishte në opozitë dhe as tani që është në pushtet, ndërsa shton se nuk është treguar e zgjuar në përzgjedhjen e njerëzve me të cilët shfaqet në publik.

Nerzir Kraki: Është dashur të merren me nivelet lokale, me krijimin e figurave të tjera lokale. Është dashur të dalin nga filozofia e orbitës së liderit. Nuk besoj se Kurti dhe qeveria e tij ka sjellë arrogancë tek çështjet me rëndësi në interes të qytetarëve të Kosovës.  Është e vërtetë që VV nuk ka treguar sukses as në të kaluarën dhe as tani. Nuk është treguar e zgjuar në përzgjedhjen e njerëzve me të cilët  paraqitet në publik. Nuk është treguar as qeveria shumë e suksesshme në përzgjedhjen e ministrave dhe këshilltarëve. Ka një lloj deficit në burime njerëzore. Në Kosovë ka plot njerëz të aftë, por sistemi brenda përbrenda krijon grupet e interesit të cilave nuk mund të i ikë as VV.

Përgatiti Anila Kolgjini.