Përfundon raundi i dytë i zgjedhjeve komunale në Kosovë
Me një pjesëmarrje më të ulët sesa në raundin e parë në Kosovë u mbyll raundi i dytë i zgjedhjeve komunale që u mbajtën në pothuajse dy të tretat e vendit.
Rreth 38 për qind e afro 1 milion e 270 mijë qytetarëve më të drejtë votë morën pjesë në zgjedhjet e së dielës për kryetarët e 21 komunave.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka garuar në 12 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka garuar në nëntë komuna: Prishtinë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Istog, Fushë Kosovë, Dargash, Podujevë dhe Junik.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka garuar në tetë komuna: Drenas, Kaçanik, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Prizren, Dragash dhe Klinë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka garuar në pesë komuna: Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik dhe Istog.
Ndërsa, partia NISMA Socialdemokrate ka garuar vetëm në Komunën e Malishevës.
Tashmë ka filluar numërimi i votave dhe rezultatet paraprake priten gjatë orëve në vijim.
Në raundin e parë, Partia Demokratike e Kosovës, fitoi në katër komuna e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që fituan nga dy.
Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, që mbështetet nga Beogradi, fitoi 9 nga dhjetë komunat ku shumicë janë pjesëtarët e këtij komuniteti.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk fitoi asnjë post për kryetar komune në raundin e parë, ndërsa sot ishte në garë në 12 komuna, përfshirë edhe Prishtinën.
