Zgjedhjet vendore në Kosovë, Kurti: Humbëm se Vetëvendosja ka probleme të brendshme

Brenda pak muajsh, votuesit kosovarë kanë reaguar krejt ndryshe ndaj Vetëvendosjes. Nga një fitore plebishitare më 14 shkurt, ata i dhanë vetëm 4 komuna në nivel vendor, ndërsa Prishtinën e fitoi kandidati i LDK-së.

Kryeministri Albin Kurti zgjodhi konferencën me homologun kroat për të dhënë një mesazh për humbjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet vendore të së dielës.

Për kreun e ekzekutivit të Kosovës, Vetëvendosja ka defekte të brendshme që janë reflektuar edhe në zgjedhjet komunale, ndërsa foli edhe për një bashkim të të gjithëve kundër Vetëvendosjes.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore, për 21 komunat që shkuan në balotazh, Partia Demokratike e Kosovës, fitoi 9 komuna, LDK 7 komuna, AAK 5 komuna dhe Vetëvendosja vetëm 4 komuna.

Prishtinën e fitoi kandidati i LDK-së, Përparim Rama me profesion arkitekt. Dhe siç tashmë e ka krijuar traditë Kosova, humbja pranohet dhe kandidatët përshëndesin njëri-tjetrin.