Holanda në “lockdown”, për tifozët mbyllen stadiumet për tre javë?

Në Holandë, numri i personave që kanë rezultuar pozitivë me Coronavirus është rritur në mënyrë të pandalshme javët e fundit, deri në pikën sa ka shtyrë qeverinë të marrë masa drastike në përpjekje për të frenuar situatën.

Kështu, një “lockdown” duke përfshirë jo vetëm aktivitete tregtare, por edhe aktivitete të tjera që konsiderohen "jo thelbësore" po mendohet nga qeveria dhe futbolli konsiderohet një prej tyre, pavarësisht faktit se ideja nuk pëlqehet aspak nga klubet.

Ideja që po studiohet nuk do të ishte ndërprerja e ndeshjeve, por zhvillimi i tyre, të paktën për tre javë, pa praninë e publikut. Një lëvizje që megjithatë do të përfundonte duke dëmtuar më tej arkat e ekipeve të futbollit tashmë të dobësuara më parë nga kufizimet e muajve të fundit.

Federata e Futbollit të Holandës ka reaguar duke u distancuar nga kjo lëvizje e mundshme e qeverisë, duke deklaruar se duhen gjetur diku tjetër arsyet e rritjes së numrave të infektuar me covid-19./Ora News/.