Fundi i një epoke. Valentino Rossi garoi për herë të fundit mbi një motor
Një legjendë, një epokë e artë e shkruar në garat e Moto GP. Valentino Rossi zhvilloi garën e fundit mbi një motor duke i dhënë fund një karriere të pasur me tituj, trofe, fitore, rekorde, polemika dhe gjithçka që mund të shoqërojë një pilot karizmatik dhe legjendar si “Doktori”.
Në pistën e Valencias, Rossi e mbylli garën në vendin e 1o-të e menjëherë mijëra tifozë të tij vrapuan në përfundim të garimit për ta përqafuar.
Plot 26 sezone mbi motor, është jashtëzakonisht shumë por gjithmonë pak kur flitet për një pilot si Valentino Rossi të cilin miliona të rinj e kanë patur dhe e kanë idhull ende pavarësisht se vitet e fundit sigurisht nuk fitonte më si më parë.
Rossi nuk la titull pa fituar në çdo kategori, që nga 125cc e më pas 250 dhe në klasin mbretëror ku për shumë vite nuk kishte rivalë pasi dominimi ishte total.
Numrat janë të jashtëzakonshëm, 9 tituj botërorë të fituar prej tyre 5 janë radhazi nga 2001-2005 si dhe 115 çmime të mëdha të fituar, 235 podiume dhe 65 pole position. Mirupafshim Doktor!/Ora News/.
