Para, kanabis e lëndë narkotike, policia aksion kundër lojërave të fatit. 5 të arrestuar në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar 5 persona dhe ka proceduar 2 të tjerë me akuzën e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, 11 njësi kompjuterike, lëndë narkotike kanabis, 10 aparate celular dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Blutë bëjnë me dije se si rezultat i kontrolleve dhe në vijim të operacionit "Fati i lojërave" janë goditur 6 raste, në vende dhe kohë të ndryshme.

Mësohet se është bërrë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. K, 36 vjeç dhe J. M, 23 vjeç, pasi në rrugën “Xhanfizo Keko” në lokalin në administrim të shtetasit F. K, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin J. M, duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis, shuma prej 99.600 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme) dhe sende të tjera të kundraligjshme.

U arrestua shtetasi B. H, 30 vjeç dhe u shpall në kërkim M. N, 29 vjeç(qeramarrësi i lokalit), pasi në rrugën “Nikolla Tupe” në lokalin në përdorim nga shtetasi B. H, dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojrave të fatit, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të hapur derën. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit u gjetën e sekuestruan 11 njësi kompjuterike, 6 aparate celular, 4 tavolina pokeri, 3 valixhe me fisha (çipsa) dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Gjithashtu u arrestua shtetasi E. B, 26 vjeç, pasi në rrugën “Muhedin Llagami” në lokal, ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Në brendësi të lokalit në një tavolinë të përshtatur për lojëra me çipsa, u konstatuan disa klient.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë bënë arrestimin e shtetasit U. S, 40 vjeç, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular dhe një shumë parash (të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme).

U proceduan në gjendje të lirë shtetasit L. G, 46 vjeç dhe L. B, 27 vjeç, pasi në lokalit e tyre përkatëse, u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit nëpërmjet celularit.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.