Ekskluzive për Ora News/ Rezart Taçi mohon akuzat për pastrim parash: Përsekutim disa vjeçar, nuk ka Zot që ti falë!

Biznesmeni Rezart Taçi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK si i përfshirë në një skemë ndërkombëtare të pastrimit të parave në një intervistë ekskluzive për Ora News mohon përfshirjen e tij.

Duke e cilësuar një persekutim disa vjeçar, ai tregon se ku konsiston përfshirja e tij në këtë histori.

Rezart Taçi: U informova dhe nga avokatët e mi. Jam kontaktuar disa muaj më parë nga një profesionist, ekonomist i Francesco Zummo, nuk e dija kush ishte Zummo, më është thënë nga ky profesionist përmes një mikut tim të përbashkët prej 25 vitesh me të cilin kam operuar në fushën e karburanteve, më është kërkuar meqë ti je shqiptar, më thanë me njohjet që mund të kesh a mund të na ndihmosh të hapim një numër llogarie. U kam thënë jam shkëputur prej shumë vitesh në Shqipëri, nuk kam ato kontakte por shkoni në Shqipëri të lirë, në mënyrë ligjore, hapni llogarinë dhe operoni në mënyrë ligjore. Kaq është përfshirja ime. Kur dëgjoj që SPAK që më ka shpallur në kërkim si strukturë e organizuar kriminale, si bashkëpunëtor i mafies dhe bashkëpunëtor në pastrim parash. Nuk shoh vepër penale dhe ku jam infiormuar unë për një vepër penale dhe ku është bashkëpunimi im në një vepër penale. Nuk e di çfarë vepër penale kam kryer dhe nuk jam informuar për ndonjë vepër penale. Nëase një zotëri në mënyrë të lirë, unë nuk kam lidhje fare, nuk jam as pronar banke, as drejtues banke, nga një shtet i huaj ka transferuar para në Shqipëri përsëri në llogari të tij nuk e di ku është roli im ligjor dhe as përgjegjësia ime ligjore. Nëse këto para janë të pista dhe kjo është vepra penale, pse unë duhet ta përcaktoj që janë paratë e pista.Nëse një shtet i këtij zotërisë, që në rastin konkret qenka Zvicra, i paska kaluar paratë në Shqipëri dhe në rastin konkret Shqipëria në sistemin bankar, me transferta të rregullta bankare ku është vepra penale.

Persekutim disa vjeçar

Rezart Taçi: Ky është një përsekutim që vazhdon prej 15 vitesh. Në mënyrë ekzakte sapo mbyllet një proces, sapo shpallesha i pafajshëm në një proces hetimor, rihapej një proces tjetër. Ky është persekutim 15 vjeçar. Në vitin 2012-2013 për shkak të miqësive të mia me një familje të nderuar si familja Biden i kam kërkuar ndihmë që të ndërhyjë në strukturat politike ligjore në Shqipëri duke deklaruar se ka një persekutim ndaj personit tim. Në 2013 kam mirëpritur në familjen time motrën e presidentit të SHBA-v e, Valeri Biden, që është takuar në atë periudhë me kryeministrin e vendit Sali Berisha, i është kërkuar në mënyrë eksplicite që çfarë problemesh ka zoti Taçi, zoti Taçi është i certifikuar. E pyeti pse vazhdohet të rihapen proceset sapo mbyllet një proces, cila është tendeca ndaj biznesit të tij dhe ndaj tij si person dhe në atë moment unë kam parë një lloj qetësie. Pas 1-2 vitesh, me ndryshimin e qeverisë dhe intersave ekonomike, ka një dorë gjykoj unë. Nuk ka mundësi që sapo shpallem i pafajshëm rihapet një proces.Është procesi i 14. Është persekutim i vazhdueshëm dhe është një dorë. Zoti e faltë! Nuk besoj që ka ligj natyror, fe apo rregull burrëror që mund ta falë me këtë dorë me gjithë këto që bën. Nuk ka pse familja ime apo unë personalisht të njollosem në vazhdimësi, të procedohem në vazhdimësi pa asnjë provë. Jeni gazetarë, kërkojini SPAK kush është vepra penale që kam kryer.

Kush është pas persekutimit?

Rezart Taçi: Në mënyrë absolute interesa të caktuara ekonomike, nuk ka mundësi tjetër.Këta persona që përfaqësojnë këto interesa të caktuara nuk ka Zot që ti falë. Unë jam besimtar dhe do vazhdoj jetën time të qetë të dedikuar ndaj familjes time dhe në respekt të gjitha ligjeve të vendit tim. Do vazhdoj të kontribuoj për vendin tim. Në vend që të respektohem për aq sa kam bërë, kam kontribuar, kam humbur, vetëm me kompaninë ARMO 424 mln euro dhe jo kam  marrë siç është shkruar në media. Unë kam përceptime, njohur dhe informacione, kur të kem fakte do ti deklaroj. Kam vetëm kontribuuar në vendin tim dhe jo të kem marrë dhe vazhdoj të përsekutohem. Si mund të më akuzojnë për bashkëpunim me mafien, unë nuk i njoh këta persona, jam kontaktuar nga një profesionist që më ka kërkuar ta ndihmoj për hapjen e një llogarie në Shqipëri.Ku është bashkëpunimi me mafien këtu dhe pastrimi i parave të mafies?

Pjesë nga intervista ekskluzive e Rezart Taçit në Ora News dhënë për gazetarët Arnold Kariqi dhe Elton Qyno

 

Taçi: Për të gjitha ka pasur një skenar ekonomik-politik  për të krijuar ato ligje që këto kompani të goditeshin, personi im të goditej. Është prej 15 vitesh. Ju si gazetarë investigoni, më besoni do të zbuloni shumë gjëra për këtë skenar të krijuar edhe për kompaninë ARMO dhe kompanitë e tjera. Ligje të krijuara për ato kompani, personin tim.

Aktualisht cili është aktiviteti juaj në Itali?

Taçi: Në Itali nuk kam asnjë aktivitet dhe në Shqipëri nuk kam asnjë aktivitet.

A do të dorëzoheni në organet e drejtësisë?

Taçi: Shqiptare? Në mënyrë absolute po. Besoj te drejtësia në fund siç ka ndodhur deri më sot që në 14 procese jam shpallur i pafajshëm.

Kur do të dorëzoheni?

Taçi: Shumë shpejt?

A keni besim te drejtësia shqiptare?

Taçi: Absolutisht kam pavarësisht këtij skenari, pavarësisht lobimeve të caktuara ekonomiko-politiko, pavarësisht personave pa Zot, pa fe, pa rregull dhe pa normë, do të dorëzohem se kam besim te drejtësia. Sepse në fund drejtësia ka gjykuar me prova, në të 14 proceset nuk ka një provë, nuk ka një dokument që të provojë se jam i përfshirë në një vepër penale. Në rastin konkret është një ndihmë që ti të shkosh në Shqipëri, e mirëpret dikush nga familja ime apo bashkëpunëtorët e mi dhe bashkëpunëtorët e mi dalin bashkëpunëtorë në një strukturë të organizuar kriminale pa i njohur, pa ditur, pa bërë asgjë, pa asnjë lloj pushteti institucional për ti ndihmuar, për të hapur llogari apo për ti transferuar. Ato nuk janë në varësinë time, transfertat ndërkombëtare. Janë banka ndërkombëtare, banka korrespondente që operojnë në bazë të ligjeve të sistemit bankar ndërkombëtar dhe lokal. Ku është këtu vepra penale?Është tronditëse, jam pa fjalë.

Hetimet janë bërë dhe në shtetin italian, do ti përgjigjeni drejtësisë italiane nëse ju kërkojnë?

Taçi: Absolutisht, kam folur me avokatët e mi dhe po merren. Në kuadër të persekutimit po ju them dhe diçka, ka 15 vjet që familja ime më lutet të kërkoj azil politik, ka 15 vjet që familja ime më lutet të denoncoj qeverinë e shtetit tim për abuzim ndaj personit tim dhe kompanive të mia, gjithmonë kam refuzuar sepse besoj te drejtësia në Shqipëri, kam refuzuar se nuk mund të njollos vendin tim pavarësisht se njollosem në mënyrë të vazhdueshme, të paprecedent. Jam një familjar i rregullt, jam një sipërmarrës me rregulla, jam një qytetar me norma të forta.

Kush ju kërcënon?

Taçi: Familja ime është e informuar për këtë skenar që vazhdon prej 15 vitesh, e iniciuar fillimisht nga Ministri i Financave përfaqësues i një lobi të caktuar dhe vazhduar dhe nga të tjerë.Emrin do ta them para Zotit dhe institucioneve.

Cila ka qenë shuma që do të përfitonit në këtë operacion financiar transaksioni bankar?

Taçi: 424 milion euro në një Arbitrazh që nuk e kam proceduar por në këtë moment jam në kontakt me avokatët e mi në Amerikë dhe Itali, me gjithë miqtë e mi në Amerikë. Familjen e presidentit e kam sjellë në Shqipëri për këtë situatë. Dhe sot dikush më njollos për një telefonatë, për një takim dhe një ndihmë.Unë nuk jam polici dhe as prokurori që të di çfarë bëhet, ku shkojnë paratë dhe për çfarë shkojnë paratë. Familja ime dhe avokatët e mi më kanë kërkuar të denoncoj qeverinë e vendit tim për 424 milion euro.

Nëse i merrni këto para a jeni në gjendje të sillni sërish në Shqipëri Real Madridin apo Milanin?

Taçi: Ardhja e Realit të Madridit e kuptoj që dikujt nuk i vjen mirë por janë marrëdhënie miqësore. Dhe për shkak të marrëdhënieve miqësore e kemi vënë në funksion edhe të imazhit të Shqipërisë, edhe të një fushate publicitare të kompanive të mia dhe nuk ka asgjë të keqe.

Sa para keni deklaruar nga pasuria juaj?

Taçi: Nuk bën pjesë në formimin tim përfolja për paranë. Preferoj të mos shprehem, të mos komentoj asgjë për paratë.

E konsideroni veten një biznesmen të dështuar?

Taçi: Si mund të jesh i dështuar, një shtet sado i dobët të jetë dhe një sipërmarrës sado i fortë të jetë, një shtet fiton, një qeveri fiton. Se konsideroj të dështuar por si një person që pati një pasion, e implementoi atë pasion, operoi me shumë pasion dhe rregulla. Kam pasur 3400 bashkëpunëtorë, pyetini se çfarë përfaqësoj unë.

Çfarë keni bërë që e keni gjithë shtetin kundër?

Taçi:Në momentin që ti operon në mënyrë të pavarur ti je kundërshtar. Në momentin që ti nuk lobon për të sulmuar dikë ti ke kundështarë, këto janë rregullat e Shqipërisë. Nëse ti shikon punët e tua ke shumë kundërshtarë dhe nëse ti je i pavarur gjithmonë do të kesh shumë kundërshtarë dhe nëse ti nuk sulmon gjithmonë do të kesh shumë kundërshtarë.Këto janë parimet sot që operojnë disa personazhe në Shqipëri.

Ku i gjeni paratë që paguani studiot e avokatisë, ekspertët kontabël dhe shumë shërbime të tjera?

Taçi: Kam shittur shumë kompani. Janë para nga kompanitë që kam shitur, janë para të deklaruar, janë kontrata zyrtare të deklaruara dhe në organet tatimore shqiptare, edhe me shitjen e ARMO-s dhe shumë asete të tjera.

A kanë lidhje sulmet ndaj jush me lidhjet që keni pasur ju më parë me qeverinë Berisha?

Taçi: Nuk kam pasur lidhje me qeverinë Berisha. Nëse si biznesmen do të kisha lidhje, kompania ARMO që është privatizuar në atë periudhë do operonte në mënyrë të regullt, gjatë atij 5 vjeçari kam operuar vetëm 6 muaj.

Nëse do të dilni i pafajshëm në këtë çështje do të bëni një padi civile për dëmshpërblim autoriteteve shqiptare?

Taçi: Të gjitha variantet janë të hapura, avokatët e mi në Itali dhe Amerikë me këtë po merren.Ndoshta ka ardhur momenti, absolutisht po.

Çfarë ndodhi me ARMO-n?

Taçi: Me ARMO-n është një Ministri e Financave e gjitha e përfshirë për të bërë ligje, janë bërë disa ligje që kjo kompani mos të punonte. Nga një kompani me fitim, këto ligje e bënë që kjo kompani pas tre muajsh pas privatizimit të fillojë të humbte 3 milion dollarë në muaj.

Pse u largua nga Shqipëria?

Taçi: Për ti dhënë paqe familjes time sepse prezenca ime ishte stimul për ata persona. Ato lobime që nuk kanë dashur që unë të operoj dhe unë të kem pozicionin tim në shoqërinë shqiptare, për ti dhënë pak paqe familjes time vendosa  6 vite më parë që të largohem.

A keni probleme me qeverinë Rama apo biznesmenë të lidhur me qeverinë aktuale?

Taçi: Me qeveritë asnjëherë nuk kam pasur probleme, janë individë të caktuar që lobojnë dhe paguajnë institucione të caktuara për të krijuar situata të caktuara. Me qeverinë Rama nuk kam asnjë problem, vlerësoj qeverinë e vendi tim, jam qytetar kritik i vendit tim, analizoj çdo veprim të çdo qeverie si çdo qytetar shqiptar, shumë i përfshirë jam si qytetar kritik por këtu fillon dhe mbaron. Nuk kam asnjë problem me qeveritë shqiptare.

Shuma financiare që ka ardhur tashmë në Shqipëri, ku do të shkonte?

Taçi: Nuk jam unë titullari i asnjë llogarie. Është i njëjti person, duhet të pyesni atë. E vetmja detyrë e imja, në mënyrë shoqërore për një mik i kam thënë shkoni në Shqipëri dhe hapni llogaritë në mënyrë të rregullt. Ku është vepra penale? Zotërinjtë nuk i njoh fare. Përmes një personi Daniele Çesagali, më kontaktoi dhe më tha kam një profesionist të ekonomisë, kërkon të hapë një llogari për klientin e tij dhe kaq. Këtu fillon dhe mbaron.

Pse nuk i çuat italianët në një studio avokatie që ju keni këtu por te kunati dhe shoferi juaj?

Taçi: Kunati dhe shoferi nuk janë persona me funskion institucional, nuk i çova te ata, thjesht kanë bërë shoferin. I kanë shoqëruar. Më thoni cila është vepra penale që kanë kryer, kanë qenë shoqërues, asgjë më shumë.

Keni negociuar me qeverinë për të risjellë sërish bizneset tuaja?

Taçi: Jo, nuk kam komunikuar me askënd dhe nuk kam kërkuar asnjë favor nga askush. Familja ime është në Shqipëri, i vetmi person që jam larguar jam unë.

A ndiheni i kërcënuar?

Taçi: Ju jeni gazetarë, e njihni më mirë se unë shoqërinë shqiptare dhe e dini më mirë se unë se çfarë do të thotë të operosh dhe të rritesh falë punës tënde pa asnjë bashkëpunim politik. Kam parë punët e mia, asgjë më shumë. Kam operuar në bazë të gjitha rregullave.Por të punosh i pavarur në Shqipëri është e patolerueshme, të kesh sukses është e patorueshme, të shikosh punët e tua është e patolerueshme, të mos jesh intrigant dhe i keq është e patolerueshme, të mos investosh paratë e tua kundër dikujt tjetër është e patorueshme, kjo është shoqëria shqiptare fatkeqësisht.Kam parë punët e mia dhe kam pasur në vazhdimësi goditje.Ndërkohë që ju mendoni se kam qenë i suksesshëm, çdo 2-3 muaj viheshin gjoba 20-30 milion euro mbi personin tim, të gjitha nga institucione shtetërore, deri në 2015 që kam qenë rezident në vendin tim.

Pse nuk i keni denoncuar, nuk keni pasur besim te drejtësia?

Taçi: T’i denoncosh ata kundër atyre institucioneve që kanë pasur drejtimin e këtyre institucioneve.

Jeni i gatshëm të paraqiteni te auritetet italiane për të dhënë versionin tuaj për 18 mln euro të transferuara nga Italia në Shqipëri?

Taçi: Absolutisht po, jam duke e bërë dhe do ta bëj. Në këto momente kam më shumë besim te drejtësia shqiptare.

Vazhdon të jetë aktiv Fondacioni humanitar i juaji?

Taçi: Ka 20 vjet që Fondacioni im kontribuon për mbi 400 fëmijë në Shqipëri, fëmijë jetimë dhe fëmijë me probleme të ndryshme shëndetësore.

Nuk na e thatë emrin e ministrit të Financave të implikuar.

Taçi: Është z. Bode, Ridvan Bode.

Keni komunikuar me të lidhur me këto gjoba?

Taçi: Është një person që nuk e flet mirë shqipen.