Akuzat e forta të Braimllarit: Bardhi bashkëpunoi me strukturat e PS-së e krimit për të goditur LSI-në në fushatë
Thellohet përçarja mes LSI-së dhe PD-së.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Endri Braimllari e quan mashtrim u ulët deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi se PD i ofroi 15 mandate të sigurta LSI-së, por kjo e fundit nuk pranoi.
Në një intervistë për Ora News Braimllari shkon më tej kur thotë se mes PD-së dhe PS ka pasur bashkëpunim gjatë fushatës elektorale për të eliminuar LSI-në për interesa personale të vetë Bashës dhe kunatit të tij
Ora News: Si qëndron e vërteta?
Endri Braimllari: Nuk ka të vërtetë. Është mashtrim i ulët. Hidhet për të shfokusuar problemet e brendshme që ata kanë. Nuk ka asnjë propozim zyrtar të PD-së për të pasur përfaqësues të LSI-së në një listë të përbashkët. Është mashtrim siç mashtroi Lulzim Basha për lënien e mandatave kur tha se kemi suportin e bundestagut gjerman dhe Merkel për këtë aksion me qëllim që të largojmë këtë keqqeverisje. Dhe LSI-së i qëndroi korrekt dhe bëri dhe një hap pas dhe la 19 mandate për të bërë Bashën lider të opozitës.
Ky është mashtrim i ulët. Nuk ka një propozim zyrtar për LSI-në. kam qenë dëshmitar në terren sesi, përfaqësues të PD-së, deputetë sot, bashkëpunonin me struktura të PS për të ndarë dhe goditur votën e LSI-së dhe strukturat e policisë ishin në shërbim të PD-së e PS, në qytete të ndryshme të vendit për të goditur LSI-në. Ishte marrëveshje për interesat personale të Lulzim Bashës e kunatit të tij të cilat sot shiten sikur I kanë propozuar LSI-së 15 mandate.
Ora News: Zoti Braimllari po thoni se PD ka bashkëpunuar me PS në fushatë? Kjo është deklaratë e rëndë?
Endri Braimllari: Është shumë e qartë kudo kjo. Vetë sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ulej me drejtues të PS-së e përfaqësues të krimit të organizuar për të goditur LSI-në në Elbasan. Një person humbi jetën atje. Si i manipuloi policia e prokuroria provat dhe nuk u zbardh asnjëherë e vërteta? Si u përfshi një strukturë e tërë, SMV në shërbim të këtij personazhi. Këto kanë qenë bashkë e kanë pasur marrëveshje me njëri tjetrin në dëm të LSI-së e botës opozitare për të qeverisur bashkë në një marrëveshje biznesi personale në Korçë, Elbasan, e në të gjithë Shqipërinë.
Ora News: A është mbledhur ndonjëherë kryesia e PD-së për tu propozuar marrëveshje politike lidhur me koalicionin e 25 prillit?
Endri Braimllari: Me përgjegjësi të plotë nga ana e LSI-së nuk ka asnjë propozim zyrtar. Nuk është diskutuar as mes strukturave. Kjo është një marrëveshje për interesat personale të Lulzim Bashës dhe grupit të tij.
Intervista per gazetarin Arnold Kariqi