Firmat e Kuvendit, Hoxha: Gazment Bardhi rrogëtar i punësuar nga Basha, pjesë e fondacionit Soros
Ditën e djeshme, 11 nëntor nëpërmjet një konference për shtyp ish-lideri demokrat Sali Berisha ka bërë të ditur mbledhjen e 4200 firmave të cilat i ka depozituar te kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i PD, ka reaguar pasi në selinë blu janë dorëzuar 4200 formularë të delegatëve, të Partisë Demokratike.
Në një deklaratë për mediet Bardhi u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha ka luajtur bllofin me demokratët pasi nuk ka arritur që të mbledhë 1/4 e firmave të delegatëve të PD.
Ish-anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, njëherësh mbështetës i "Foltores" Indrit Hoxha i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se Gazment Bardhi nuk është zgjedhur as me votim, nuk ka pasur as kandidat.
Hoxha: Është thjesht një rrogëtar i punësuar nga zoti Basha dhe cilësohet nga si si Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Nuk e njeh statuti i PD-së si sekretar, jo se nuk e njohim ne. Dalim te çështja e protokollit. Mund të na thotë zoti Bardhi kush është shef i protokollit të PD-së? Në momentin që ne flasim shef protokolli në PD nuk ka. Shef protokolli ka kohë që e ka hequr Lulzim Basha. Nëse do kishte një protokoll zyrtar dhe një shef protokolli nuk diskutohej që procedura do ndiqej sipas protokollit.
Për sa i përket çështjes së anonimitetit të firmave, Hoxha u shpreh në studio se formularët nuk janë anonim.
Hoxha: Formularët nuk mund të bëhen publikë për një arsye shumë të thjeshtë, sepse në ato formularë është numri personal i çdo delegati që ka firmosur. Nëse publikohet është privatësia që i shkelet një individi. Unë e ftoj zotin Bardhi të shkojë në zyrën e zotit Paloka dhe të verifikojë 272 formularët e qarkut të Elbasanit. Bardhi ka akses të ketë transparencë të plotë por nuk mund të marrë vendime në PD sepse është organ më i vogël pozicioni i sekretarit të përgjithshëm në PD sesa Kuvendi Kombëtar. Kuvendi Kombëtar është dhe mbi kryetarin dhe një nga kompetencat e tij është që mund ta shkrijë partinë fare.
Hoxha më tej shtoi se Bardhi ka qenë ministër i Ramës për 6 muaj dhe pjesë e fondacionit Soros dhe pagesat i ka deklaruar në deklarimin e pasurisë që ka bërë.
Hoxha: Këta janë një rrjet sorosian që kontrollohen nga Geroge Soros dhe fondacioni "Shoqëria e Hapur" që kanë vetëm një synim, asgjësimin e opozitës shqiptare.
Për sa i përket "Foltores", Hoxha tha se nuk ka nisur më 9 shtator, por më 20 maj pas shpalljes "non grata."
