Ilir Demalia: Në PD luftë "minibandash" nuk fitohet asgjë. I duhet një tronditje e madhe
Ish-kryeministri Berisha ka depozituar te kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike 4200 firma ditën e djeshme, 11 nëntor dhe në 11 Dhjetor pritet të mbledhë Kuvendin Kombëtar.
Analisti Ilir Demalia në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora Neës u shpreh se Partia Demokratike kishte kohë që ishte një parti pa akte, domethënë nuk prodhonte më si parti.
Demalia: Kjo ka ardhur nga vetë jeta e kësaj partie prej 30 vjetësh ku nuk është lejuar fryma demokratike në parti, ashtu si dhe në Shqipëri në partitë e tjera, nuk është lejuar konkurrenca por është ndërtuar një parti klanore. Kjo çka po ndodh tani në PD tregon që këtë parti Sali Berisha e ka pasur pronë. Por, për çfarë do ta përdorë këtë pronë Berisha kjo është çështje tjetër.
Sipas tij, kjo do të sjellë negativitete të tjera sepse konflikti nuk është një konflikt parimesh, idesh, një analize të krizës reale të kësaj partie.
Demalia: Kjo është një luftë klanesh për arsye të shpalljes "non grata" nga departamenti amerikan i shtetit dhe largimit të tij si kryetar i PD-së. Me një konflikt të tillë "mini bandash" nuk mund të prodhosh një gjë ndryshe. Si mund të besosh tek Berisha kur ai është shkaktar i kësaj gjëje. Lul Basha është produkt i Berishës, edhe Rama në një farë mënyre është produkt i Berishës.
Demalia u shpreh se Partia Demokratike kishte nevojë për një tronditje të madhe.
Demalia: Tronditja erdhi nga Berisha, por Berisha e bëri për shkak personal. Në parim unë jam dakord, pro çfarë po prodhon kjo? A mund të prodhojë kjo një gjë pozitive për partinë dhe politikën në Shqipëri? Unë mendoj që jo! Janë të njëjtët aktorë që kanë sjellë këtë gjendje politike.
I pyetur se çfarë do të ndodhë në PD, Demalia tha se kjo nuk i intereson, por i intereson se si do ta marrë Berisha PD-në.
Demalia: Si do ta marrë Berisha PD? Do ta marrë me forcë? Unë dua të largohet Lulzim Basha një sekondë e më parë sepse është një njeri që nuk ka aftësi politike, nuk ka karizma, është një njeri që është edhe i korruptuar. Nëse ambasadorja dhe Departamenti i Shtetit thonë që Berisha ka pasur një korrupsion të lartë gjatë qeverisjes së tij, atëherë si qenka ky njeri i pakorruktuar kur të dy kanë punuar bashkë. Të paktën përgjegjësi për paaftësi duhet të mbajë ky, mos hyjmë pastaj në pasuritë që ka Lul Basha nëpërmjet vjehrrës së tij, nëpërmjet kunatit. Pra edhe Lul Basha është pjesë e këtij korrupsioni.
Demalia tha se e gjitha kjo që ndodh dhe do vazhdojë të ndodhë është se në Shqipëri nuk ka pasur ndëshkueshmëri.
Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku
