Sejko: Ekonomia shqiptare po rimëkëmbet, rritja e inflacionit nga tregjet ndërkombëtare

Në një deklaratë për shtyp guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh sot se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 0.5 %”.

Sejko theksoi se mbeten të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1 % dhe 0.9 %.

Ndërkohë, ai vuri në dukje se politika monetare mbetet e përshtatshme për mbështetjen e rritjes ekonomike në horizontin kohor afatmesëm, në funksion të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv 3% në vitin 2022.

Sejko: Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim dhe miratoi raportin 3-mujor të politikës kombëtare. Informacioni i ri i marrë në analizë tregon se ekonomia shqiptare po vijon të rimëkëmbet nga goditjet e marra nga tërmeti dhe pandemia. Kjo ecuri vihet re në rritjen e vëllimit të aktivitetit ekonomik, në zgjerimin e punësimit dhe rritjen e pagave, në përmirësimin e bilanceve financiare në sektorin privat si dhe në rritjen e qëndrueshme të kredisë bankare. Informacioni i ri tregon rritje të inflacionit si në ambientin e huaj ashtu dhe në ambientin e brendshëm. Rritja e inflacionit u diktua kryesisht nga goditjet e ardhura si pasojë e disbalancës së kërkesës dhe ofertës në tregjet ndërkombëtare.

Ndonëse në rritje, presionet e brendshme për rritjen e pagave, punësimit dhe të inflacionit janë ende të moderuara. Ekonomia shqiptare do vazhdojë të rritet në horizontin afatmesëm e mbështetur nga stimuli monetar, duke krijuar premisa për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit objektiv brenda vitit të ardhshëm. Inflacioni erdhi duke u rritur në 3-mujorin e tretë, në masën 2.4%. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit 0.5%. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se materializimit i skenarit bazë, i formimit të rimëkëmbjes do të kërkojë normalizimin gradual të politikës monetare gjatë 3 muajve në vijim.