OSSH: Kur s’ka të dhëna nga matësi faturimi të bëhet me vlerë referuese

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes i kërkon Entit Rregullator të Energjisë që në rastin kur të dhënat e sahatit nuk janë të lexueshme për shkak të dëmtimit të matësit, faturimi i konsumatorëve të bëhet në bazë të vlerave referuese. Kjo vlerë do të llogaritet bazuar në konsumin e të njëjtit muaj të një viti më parë ose me konsumin mesatar vjetor.

Kur të dhënat e matësit të energjisë nuk janë të disponueshme për shkak të dëmtimit apo kushteve teknike, faturimi pritet të bëhet në bazë të vlerave referuese.

Kjo është kërkesa që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes i ka dorëzuar Entit Rregullator të Energjisë.

Në shkresën e firmosur nga kreu i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Petraq Lika. thuhet se kjo vlerë do të përllogaritet bazuar në të njëjtin konsum të muajit respektiv të vitit të mëparshëm ose me konsumin mesatar vjetor.

Në shkresën e publikuar në faqen zyrtare të ERE përcaktohet se matja me këtë vlerë referuese nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj, çka nënkupton se riparimi apo vendosja e matësave të rinj të zgjidhet brenda kësaj periudhe kohore.

Sipas procedurës duhet të kalojnë në fazë konsultimi dhe më pas miratimi ose refuzimi nga Bordi i Entit Rregullator të Energjisë.

Kujtojmë se një praktikë e tillë u zbatua edhe përgjatë vitit të kaluar nga muaji shkurt deri në qershor me qëllim minimizimin e kontakteve të punonjësve si masë për parandalimin e përhapjes së Covid-19.