Buxheti për fermerët, Zusi: Paketa ka problematika, mungon politika nxitëse për zhvillimin e industrisë vendase
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka paraqitur në Komisionin për Ekonominë dhe Financat paketën fiskale për vitin 2022. Ajo tha se është parashikuar fond shtesë në skemat e mbështetjes së fermerëve prej 1.25 miliardë lekë.
Në lidhje me këtë kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Sonila Musai, është shprehur se paketa e qeverisë ka problematika pasi nuk synohet që të mblidhen para vetëm për të njëjtën njësi prodhimi.
Alban Zusi: Duhet të mësohemi që bujqësinë dhe industrinë në Agro-ushqimore nga njëra-tjetra sepse ata shkojnë në sinkron me njëra-tjetrën. Paketa ka disa problematika që ne gati i quajmë lapsuse sepse në vend që të krijojmë politika nxitëse për biznesin në fakt krijojmë politika tunduese. Në saj të kësaj pakete synohet që të mblidhen më shumë para për të njëjtën njësi prodhimi, pra jo më shumë para nga rritja e njësive të prodhimit, por më shumë para për të njëjtën njësi prodhimi.
Për Zusin në këtë paketë mungon politika nxitëse për këtë sektor. Ai shton se duhet të ketë disa politika të tjera që nxisin zhvillimet e industrisë vendase.
Alban Zusi: Mungon qartazi politika nxitëse e industrializimit të këtij sektori. Janë shumë të mira masat që janë parashikuar për infrastrukturën për agro-turizmi, por ato janë një pjesë të zhvillimit të pjesës rurale shqiptare dhe të gjithë sektorit agro-ushqimor në tërësi.
Pjesa qendrore që garanton zhvillimin e këtij sektori dhe mirëqenien e asaj pjese të popullatës që jeton me sektorin agro-industrial ka nevojë për ca politika tjera që nxisin dhe mbështesin zhvillimin e industrive, zhvillimin e teknologjive dhe mbi të gjitha zëvendësimin e lëndëve të para të produkteve të importit. Duhet të jetë një politikë nxitëse të zhvillimit të industrisë vendase me qëllim që të fillojmë të zevendësojmë prodhimet e importit me produktet vendase.
