BSH sugjeron qeverinë: Monitoro dhe kufizo PPP-të, të rishikohet skema e pensioneve dhe sigurimeve

Banka e Shqipërisë ka kërkuar vendosjen e një vlere tavan për PPP-të dhe ngritjen e një strukture që do të bëjë vlerësimin dhe monitorimin e këtyre projekteve. Sipas Guvernatorit Sejko qeveria shqiptare duhet të rishikojë dhe skemën e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Banka e Shqipërisë propozon vendosjen e një vlere tavan për PPP dhe ngritjen e një strukture që do të bëjë vlerësimin e projekteve.

Gent Sejko: Projektbuxheti 2022 parashikon se pagesat nga buxheti i shtetit për detyrimet që lindin nga kontratat koncesionare dhe PPP do të jenë brenda kufizimeve ligjore, në nivelin 3% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Megjithatë BSH sugjeron përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontratave PPP.Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP mund të kenë mbi shëndetin e financave publike, integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP me programin strategjik të investimeve sikundër janë identifikuar në programet afatgjatë të zhvillimit të vendit dhe përmirësimin e  vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale, njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre objekteve, sidomos sa i takon detyrtimeve ligjore dhe financiare që i ngarkojnë buxhetit të shtetit.

Janë këto rekomandimet e paraqitura nga Guvernatori Gent Sejko në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Sipas tij, ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial të PPP-ve në ekonomi.

Gjithashtu, Banka Qendrore sugjeron rishikimin periodik të skemës së pensioneve atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale.

Gent Sejko: Skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijojnë të përbëjnë një barrë të ndjeshme për financat e shtetit. Në këtë kontekst Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të skemës së pensioneve dhe skemave të tjera sociale.

Në raport me investimet publike, Banka e Shqipërisë gjykon se procesi i përzgjedhjes së projekteve të investimeve mund të përmirësohet më tej.

Sa i përket informalitetit, Guvernatori Sejko deklaron se nuk ka shifra të raportuara dhe është e pamundur të kontrollohet.

Ndërkohë ai dha një shifër të bërë publike nga institucionet ndërkombëtare, sipas të cilave niveli i informalitetit në ekonominë shqiptare vlerësohet 35%.

Shqetësimit të opozitës në lidhje me blerjen e bankave nga aksionerë shqiptarë, Guvernatori Sejko iu përgjigj se nuk ka sjellë probleme dhe se në Shqipëri vijojnë të dominojnë bankat evropiane.