Buxheti 2022, Tabaku: S'ka lidhje me realitetin, pse paguajmë për kontratra koncesionare që nuk kryhet shërbimi?

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ngriti një sërë shqetësimesh gjatë diskutimit në parim për shpenzimet e projektbuxhetit të vitit 2022.

Jashtë vëmendjes nuk mbeti dhe raporti i KLSH sipas të cilit qeveria paguan për 5 kontrata koncesionare pa marrë shërbim prej tyre.

Tabaku adresoi edhe kredinë për ndërtimin e Teatrit të ri, e cila sipas saj është rritur nga 30 në 38 mln euro.

Tabaku: Kam një shqetësim për situatën energjitike. Dy muaj më parë kryeministri deklaroi se ka një krizë energjitike, shqetësimi im është si reflektohet kjo në buxhetin e shtetit në drejtim të shpenzimeve, mbështetjes. Thatë që do ketë një garanci, nuk e shoh të reflektuar në buxhet. Nuk trajtohet rritja e çmimit të gazit. Me paketën fiskale do të kemi ngarkesa të tjera shtesë. Detyrimet e prapambetura, thatë 18 mld, Ministria nuk është treguar e vërtetë.

Detyrime të prapambetura që shkojnë 150 mln euro, Arbitrazhi 400 mln euro, kosto të rindërtimit, kontrata të lidhura të mbartuar nga viti i kaluar 150 mln euro, detyrime për BSH 50 mln euro, detyrime gjyqësore 25 mln euro në vit që shkojnë në një kosto prej 900 mln euro që nuk e shoh të reflektuar.Është fshehje e borxhit, mosregjistrim që duhet të ishte reflektuar në shpenzimet e buxhetit. Shoh me shqetësim shpenzimet për pushtetin vendor, Ujësjellës Kanalizimet janë kthyer në debitorët më të mëdhenj, nuk reflektohet në shpenzime dhe prioritetet që ju keni vënë. Bashkia e Durrësit është duke gllabëruar fonde publike për inceneratorë dhe shpenzime të tjera ndërkohë që në total këto kalojnë mbi 50 mln euro borxh për OSHEE.

Investimet publike janë në nivel shumë të ulët megjithëse shpenzimet totale pritet të rriten me 230 mln euro krahasuar me aktin normativ të qershorit 2020. Kjo qeveria pas 11 vitesh ka shpenzimet më të mëdha që ka pasur ndonjëherë 27.2% por nuk e shoh të përkthyer në politika. Një rritje e tillë e shpenzimeve publike e papërkthyer në prioritete dhe investime është shqetësim shumë i madh. Shqetësim është rënia e fondeve për përmbytjet e tokave bujqësore, zhvillimin rural, arsimin profesional, infrastrukturënvendore dhe rajonale, fondin e pronave, fondin e të përdjekurve politikë. 25 vite duhen të kryhen pagesat e të përndjekurve politikë sipas shifrave që na keni paraqitur në buxhet.

Shqetësimi më i madh në këtë buxhet janë kontratat koncesionare, shpenzime dhe abuzimi më i madh. Këtu kemi diskutuar raportin e KLSH, i cili thoshte për 5 kontrata koncesionare, 4 prej të cilave në shëndetësi, paguajmë pa u kryer shërbimi. Pse Ministria e Financave do të paguajë për kontrata që nuk kryhet shërbimi? Rriten me 30% krahasuar me vitin e kaluar. Nuk kemi marrjen e asnjë mase po vazhdojmë pagesën. Kemi paguar një kontratë koncesionare për PPP e fiskalizimit dhe këtu kemi një pagesë tjetër 1.5 mln euro për çelësat.

Ka kontrata koncesionare të reja si triporti i Vlorës, siguria rrugore, infrastruktura në qytetin e Elbasanit, rruga Milot-Fier pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane. Është shqetësim shumë i madh se shkon me një kosto tre herë më të lartë se kosto që ka po për të njëjtën pjesë BE. Për mua shqetësim shumë i madh është shpenzimi për Teatrin Kombëtar, thatë se do merrni një kredi 30 mln euro, këtu shfaqet një kosto prej 38 mln eurosh në buxhet. Duhet ta shohim me prioritet këtë çështje.

Shqetësim  edhe lidhur me kontratat koncesionare dhe risqet e tyre. Në pjesën më të madhe, 90%, risku ëdhtë për buxhetin e shtetit. Pesha e inflacionit që mbahet nga buxheti i shtetit është risk real. Kjo tregon se buxheti sot nuk ka asjnë lidhje me atë që ndodh.