Arbitrazhet/ Dëmi qindra milionë euro, ministria e Financave ndan fondin, por nuk thotë sa është dëmi

Vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit në Shqipëri vazhdojnë të prodhojnë debat. Opozita deklaron se janë 400 milionë euro që do të shlyhen, por ministria e Financave sqaron se çështjet janë ende në proces. PD në komisionin e ekonomisë nuk e kursen qeverinë edhe lidhur me faturën për Teatrin e ri Kombëtar, që pritet të na kushtojë rreth 900 milionë euro.

 Në buxhetin e shtetit të parashikuar për vitin e ardhshëm qeveria ka planifikuar fonde të veçanta për vendimet që mund të vijnë nga Gjykatat Ndërkombëtare të Arbitrazhit, pa dhënë një shifër konkrete.

“Në transparence totale kemi publikuar te gjitha rastet ne arbitrazh, ne rast se do te materializohet një vendim përfundimtar ne kemi kapacitetin financiar që të bëjmë pagesat e tyre," tha ministrja Ibrahimaj.

Por sipas opozitës, faturat e çështjeve të humbura nga shteti shqiptar në këto Gjykata kapin vlerën e të paktën 400 milionë eurove.

"Arbitrazhin që shkon 400 milionë euro," u shpreh Tabaku.

Sa i takon detyrimeve të prapambetura , ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se deri në qershor të këtij viti kanë arritur vlerën e 18.09 miliardë lekëve.

“Ne nuk i fshehim detyrimet e prapambetura, jemi qeveri e hapur," tha ajo.

Por opozita pretendon se qeveria po fsheh detyrimet e prapambetura, pasi sipas saj ky borxh arrin vlerën e 900 milionë eurove. Masje shqetësimi më i madh për opozitën janë kontratat koncesionare.

“Për 5 kontrata koncesionare, 4 prej te cilave ishin në shëndetësi ne po paguajmë për kontrata qe nuk kryhet shërbimi. Pagesat për kontratat koncesionare rriten me 30% ne krahasim me vitin e kaluar. Kontratat konsensionare, si Check-up, sterilizimi te cilat janë konsideruar me shkelje nga KLSH nuk është marrë asnjë masë dhe vazhdojnë pagesën. Kemi paguar një kontratë koncesionare për PPP e fiskalizimit dhe këtu kemi një pagesë tjetër 1.5 milionë euro, e cila është një kontratë koncesionare që është ezauruar pagesa dhe këtu kemi pagesë vetëm për çelësat," tha Tabaku.

Për opozitën vlera e përcaktuar në buxhet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar me vlerë 900 milionë euro duhet parë me rezerva pasi ka paqartësi.

“Ju thatë do marrim një kredi prej 30 milionë eurosh, këtu shfaqet një kosto prej 38 milion eurosh," tha Tabaku.

Ministrja Ibrahimaj tha se Shqipëria ka numrin më të ulët të punonjësve publikë të angazhuar për shërbimet ndaj qytetarëve.