Buxheti për luks dhe mbetjet, 23 miliardë lekë për makina, mobilie dhe zyra. 1.6 për të përndjekurit politikë
Qeveria shqiptare ka alokuar një miliard lekë për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë.
"Ndër vite ne kemi alokuar fonde dhe vazhdojmë të alokojmë për të kompensuar të përndjekurit politikë. Për vitin 2022 fondi i alokuar është 1 miliard lekë, ndërkohë që dua të theksoj se të gjithë të përndjekurit politikë që janë të gjallë janë kompensuar dhe pjesa e mbetur mbetet për familjet e atyre që kanë qenë të përndjekur politikë," u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Kjo çështje ngjalli diskutim me deputetët e opozitës, të cilët deklaruan se qeverisë shqiptare i duhen 25 vite për të shlyer detyrimet për ish-të përndjekurit politikë.
Por diskutimi i ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shoqërua me kritikat e deputetëve të opozitës.
"Prandaj them që është buxhet i dy buxheteve, i luksit dhe konçesioneve dhe i varfërisë ekstreme. 20 miliardë lekë për makina dhe luks dhe kemi 1 miliard lekë për të përndjekurit politikë," tha Dhurata Çupi.
Përfaqësuesi i qeverisë në Komision i quan shpenzimet e luksit si shpenzime minimale që garantojnë operativitetin e institucioneve gjatë një viti buxhetor.
Por përveç shpenzimeve për automjete dhe rikonstruksion të zyrave, qeveria ka parashikuar dhe 630 milionë lekë për incineratorin e Fierit.
"Rama tha publikisht se në dhjetor të vitit 2020 ka përfunduar incineratori i Fierit dhe do fillojë nga puna. Me përfundim kushdo kupton që paraja e destinuar është dhënë, dhe jo vetëm është dhënë por dhe është ndërtuar, dhe jo vetëm është ndërtuar por është në funksion. Në fakt 2 muaj më parë u dogj Fieri, u dogjën plehrat e Fierit, u helmua gjithë Fieri," tha Alibeaj.
Ndër të tjera, qeveria refuzoi të pranonte statistikat e Avokatit të Popullit për minimumin jetik, i cili sipas opozitës është 170 mijë lekë të vjetra.
"Avokati i popullit nuk është institucion i cili boton statistika zyrtare, nuk ka asnjë shifër zyrtare për minimumin jetik, një institucion zyrtar për minimumin jetik," tha Ibrahimaj.
Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm me 13 vota pro dhe 4 kundër.
