Aksioni i Rrugores në fundjavë, 42 shoferë në pranga, 1456 të tjerëve do t'u shkojë gjoba në banesë
42 drejtues mjetesh kanë rënë në prangat e policisë rrugore gjatë fundjavës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Prej tyre, 20 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 22 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Po kështu janë pezulluar 126 leje drejtimi dhe janë vendosur 3560 masa administrative në të gjithë vendin për shkelje që janë rrezik potencial për sigurinë rrugore, si dhe 1456 masa të tjera për tejkalim shpejtësie të evidentuar nga makina inteligjente.
"Gjatë fundjavës janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 1456 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë. Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve permanente janë evidentuar dhe ndëshkuar 3560 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore" njoftoi policia.
Nga 129 lejet e drejtimit të pezulluara, 79 janë për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 38 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 12 për qarkullim në sens të kundërt.

