Autori me maskë dhe kapuç, largohet me vrap pasi vendos tritolin, pronari i servisit në Tiranë: Nuk kam konflikte me askënd
Një sasi prej 50 gram lëndë eksplozive ka shpërthyer në derë të një biznesi në zonën e njohur si pallatet “Cabej” në kryeqytet. Shënjestër e këtij sulmi ishte një dyqan në pronësi të Olsi Isufit që merrej me rimbushje telefonash dhe me pagesën e gjobave. Policia ka në dorë pamjet filmike e ndërsa autori është ende në arrati.
Dyqani në pronësi të Olsi Isufit u bë shënjestër e një sulmi më lëndë plasëse tritol mbrëmjen e së dielës, 7 nëntor.
Prej kohësh ai e ushtronte këtë aktivitet në zonën e pallateve "Cabej ”, në afërsi të Kombinatit në Tiranë, ku ai merrej edhe me shitje te automjeteve.
Jashtë kamerës Olsi është shprehur se nuk ka konflikt me asnjë person.
“Nuk e kam idenë se kush e ka vendosur, nuk kam pasur konflikte me asnjeri. Dyqani ka qenë i mbyllur pasi që prej të premtes kisha lëvizur me familjen jashtë Tirane,” është shprehur pronari i dyqanit.
Në kamerat e sigurisë të cilat kanë fiksuar momentin duket një djalë me trup të gjatë, i cili në fytyrë mban një maskë kirurgjikalë dhe një kapuç në kokë ku afrohet lehtësisht dhe vendos lëndën plasëse në cepin e derës së dyqanit. Pas këtij momenti, ai e ndez dhe largohet duke humbur çdo gjurmë.
Sipas burimeve policore, në zonë janë sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë për të parë lëvizjet e autorit, pasi dyshohet që në këtë krim nuk ka vepruar i vetëm.
Po ashtu, po verifikohet edhe e kaluara e Olsi Isufit edhe pse para efektivëve ai ka mohuar të jetë në një konflikt me ndonjë person. Pista që po hetohet është konkurrenca, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera.
