"S'jemi buburreca, as zaptues. Duam të drejtën e pronës!" Banorët e "5 Majit" vijojnë rezistencën

Banorët e  “5 Majit” kanë dalë sot paradite sërish në protestë për të mbrojtur banesat e tyre, pas paralajmërimit se fadromat e IMT do të vijnë për vijimin e shembjes së banesave të cilat preken nga projekti i rindërtimi të bashkisë së Tiranës.

Sot është caktuar që të prishen  disa shtëpia, por banorët edhe të shtëpive të tjera të cilat janë planifikuar të prishen në ditët në vijim janë bërë bashkë për ta kundërshtuar.

Grupi i xhirimit i Ora News, me gazetare Enxhi Musai, janë atje për të përcjellë zërin e tyre dhe ndjekur gjithë zhvillimet.  

Thonë se janë të vendosur pë të mos lejuar tu prishin banesat pa pasur një kontratë shërbimi dhe qiraje të rregullt.

“Jemi mbledhur që edhe ato shtëpija që janë përcaktuar të prishen të mos i lejojmë pa rënë dakord për një kontratë marrëveshje. Për banesat që është rënë dakord le të vijnë ti prishin. Por ata që nuk kanë rënë në marrëveshje me bashkinë nuk pranojmë që të prishen shtëpitë”

Ndërsa thonë se do të lejojnë të prishen banesat banorët e të cilëve kanë rënë dakord me bashkinë.

Banorët thonë se e gjithë zona është rrethuar me policë madje dhe policë të veshur civilë

“Rrinë të fshehur për të parë si po ecën protesta” thotë një banor.

“Të ishte burrë Rama e Veliaj të vijë e të na dalë përballë. Po ti thonë Veliajt dil ti nga shtëpia të bëj shtëpinë time si I duket?!  Ai ka shtëpia plot ne nuk kemi ku shkojmë? Nëse i nxjerr fëmijën jashtë atij si i duket?  I  bëj thirrje  të tërhiqen” thotë nëna.

Banorët thonë se nuk janë kundër projektit të rindërtimit por kundër marrjes me forcë.

“Ne jemi të ligjshmë në shtëpitë tona. Policia duhet të na mbrojë ne. Ne kemi shtëpinë këtu. Banorët që jetojnë këtu kanë gati 30 vite,  më  riu ka më pak se 20 vjet. Unë e kam blerë tokën, dua të trajtohem si pronare jo zaptuese” thonë banorët

“Banorët duhet tu jepet e drejta e pronës. Të legalizohen të gjitha ndërtesat. Të vijë Veliaj e Rama të marrë ta zhvillojë zonën, por më parë duhet të biem dakord kontratën e shërbimit dhe të qirasë” thotë një tjetër.

“Buburreca”

Shprehen të indinjuar dhe ofenduar se bashkia e Tiranës jo vetëm po u cënon pronën por dhe moralin, integritetin.

“Veliaj veçse po na cënon rëndë pronën po na ofendon. Unë e kam blerë tokën. Dua të trajtohem si pronare e jo zaptuese.  Po na cënon pronën, integritetin.  Kryeministri kryetari I bashkisë duhet të maten mirë për fjalët që thonë. Nuk jemi “buburrecë”. Dëgjoj fjalë që realisht më shqetësojnë”

Kontrata e njëanshme

Kontrata që u ka ofruar bashkia për të firmosur thonë se është e njëanshme.

“E kemi konsultuar tek avokatë të huaj, vendas, tek noterë të gjithë na thonë të njëjtën fjalë.   Kontrata është e pavlefshme pasi nuk përcakton as kohën e shërbimit dhe as vendin e shërbimit. As nuk e ka përcaktuar sa kohë do e marr qiranë dhe shuma që do të merret.  

“Si mund të dhuroj shtëpinë time në favor të bashkisë.  Unë një shtëpi kam nuk kam 5 shtëpi që tia dhuroj. I bëj thirrje të tërhiqen.Nëse i nxjerr fëmijën jashtë atij si i duket ” thonë banoret.

Banorët prej ditësh janë në protestë dhe kundërshtojnë lirimin e banesave të tyre pa pasur një kontratë të rregullt dakordësie me bashkinë që u garanton atyre se ku do të shkojnë pasi tu shembet banesa.