Ekskluzive/ Ora News sjell pamjet ku u gjet trupi i vrarë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha

Gazetari Ora News, Edison Vatnikaj ka shkuar pranë vendit ku u gjet i mbuluar me zhavorr e gurë trupi i biznesmenit Ruzhdi Hoxha, në Qafë Mollë të malit të Dajtit.

"Është një terren që e kemi përshkuar në këmbë pasi është shumë e vështirë për makinat. " thotë ai në raportimin direkt

Kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e familjarëve kanë identifikura se Ruzhdi Hoxha ishte thirrur nga miku i tij Fredi Rrushi.

Më pas është ndjekur itinerari i lëvizjeve që kanë përshkruar atë ditë dhe ndalesa e fundit ka qenë pikërisht zona e Qafë Mollës, Mali i Dajtit.

Fredi Rrushi është arrestuar më 26 tetor si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Prandaj do të hetohen dhe pista të tjera.   

Çfarë dihet deri tani

Më 20 tetor 2021 rreth orës 23:00, Ruzhdi Hoxha largohet nga banesa e tij në Paskuqan. Sipas denoncimit të të birit, Saimir Hoxha prej asaj kohe nuk kanë pasur më kontakt me të.

Më 24 tetor 2021 djali Saimir Hoxha bën kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr.5.

Më 25 tetor 2021 njoftimi i zhdukjes publikohet në web-in e Policisë së Shtetit, në përmbledhjen 72-orëshe.

Më 26 tetor 2021 Policia arreston Fredi Rrushin si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Më 5 Nëntor 2021- Lajmi i rrëmbimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha bëhet publik në media.

Më 5 Nëntor 2021 (mesditë) Si rezultat i kërkimeve, shërbimet e policisë bënë të mundur që në zonën e Dajtit të gjenin një xhup ku pas verifikimeve rezultoi se i përkiste shtetasit Ruzhdi Hoxha.

Më 6 Nëntor 2021 Nis operacion i gjerë kërkimi në zonën e Dajtit. Qentë e gjurmës gjejnë të mbuluar me zhavor e gurë trupin e pajetë të shtetasit Ruzhdi Hoxha. Ai u gjet në Qafë-Mollë, mbrapa Dajtit. Trupi i pajetë do transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.