Përgjaket fundjava, 2 viktima nga aksidentet në 12 orë, 1 i palgosur rëndë
Trupi i një të moshuari të pajetë i zbuluar orët e para të mëngjesit të së shtunës, përgjatë rrugës Lushnje-Rrogozhinë vuri në alarm policinë.
Viktima nuk kishte dokumente identifikimi, ndërsa gjurmët në vendngjarje rritën dyshimet e grupit hetimor se ishin para një ngjarje kriminale.
Disa orë më pas, ai u identifikua si Muhamet Fusha, 70 vjeç, banues në Dushk.
Pas verifikimeve në vendngjarje dhe këqyrjes së trupit , policia tha se i moshuari mund të jetë viktimë e një aksidenti rrugor.
Dyshimet janë se ai është goditur nga automjete buzë autostradës nga drejtuesi i mjetit i cili është larguar dhe për momentin ka humbur gjurmët.
Ekspertët e policisë këqyrën vendngjarjen dhe thonë se po punojnë për të zbuluar shkaktarin e aksidentit.
Në rrugë nuk ka gjurmë të qarta frenimi dhe ndër provat e pakta që ka policia është në copë plastikë e thyer që është gjetur në trupin e 70 vjeçarit.
Dyshimet janë se ajo mund t'i përkasë mjetit që bëri aksidentin dhe më pas u zhduk.
Më pak se 12 orë më herët një aksident përgjaki aksion Tapizë, Krujë.
Përplasja e dy makinave rezultoi fatale për një grua, ndërsa bashkëshorti i saj mbeti i plagosur rëndë.
Policia ka arrestuar 31 vjeçarin banues në Fushë Krujë si autor të aksidentit të ndodhur mbrëmjen e 5 nëntorit në aksin rrugor Tapizë-Fushë Krujë.
Ai drejtonte mjetin “Audi” i cili u përplas me mjetin tip "Volkswagen" me drejtues shtetasin P. Ç duke shkaktuar plagosjen e këtij të fundit dhe vdekjen e bashkëshortes e cila ishte pasagjere në makinë.
Fundjavën e kaluar, aksidentet rrugore u morën jetën 3 personave, ndërsa 11 të tjerë mbetën të plagosur.
Në të shumtën e rasteve, fajtorë ishin drejtuesit e mjeteve që shkelën rregullat e qarkullimit rrugor dhe lëviznin me shpejtësi të lartë.

