30 Qershori, Murrizi: E prisja, Basha t’u kërkoj falje demokratëve, i mashtroi dhe i hodhi në rrugë
Gjykata Kushtetues ditën e djeshme rrëzoi përfundimisht mundësinë për ripërsëritjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019 ku PD dhe LSI bojkotuan votimet.
Ish-deputeti Myslim Murrizi në një intervistë për Ora News, me gazetaren Anila Zyberaj është shprehur se e priste një vendim të tillë.
Sipas tij në zgjedhje është e drejta e partive politike që të marrin pjesë, por sipas tij mungesa e njëra prej partive nuk mund të mbajë peng procesin zgjedhor.
Myslim Murrizi: Kam qenë në anën e drejtë dhe koha është gjykatësi më i mirë. Është një vendim që unë e prisja. Të drejtat janë të drejtat. Shqiptarët ngatërrojnë të drejtat me detyrimet. Në asnjë palë zgjedhje nuk kanë marrë pjesë të gjithë partitë politike. E prisja këtë vendim. Çdo subjekt politik që nuk dëshiron që të marrë pjesë në zgjedhje është e drejta e tij, por zgjedhjet peng nuk mund të merren. Kjo është një shuplakë për partitë politike.
Ai shprehet se djegia e mandateve që u bë nga opozita në vitin 2019 ishte një gabim fatal dhe sipas tij kjo ka sjellë pasojat më të cilat po përballet opozita dhe sot.
Myslim Murrizi: Unë jam përjashtuar për një të drejtë që mua më dha koha. Djegia e mandateve ishte gabim fatal, duhet t’u kërkojnë falje demokratëve, djegia e mandateve ka sjellë si pasojë këtë situatë që jemi sot.
Sipas tij Basha duhet t’u kërkojë falje të gjithë demokratëve.
Myslim Murrizi: PD, Basha duhet t’u kërkojë falje demokratëve, se i mashtruan dhe i hodhën në rrugë, mos t’i mashtrojë, u futën në zgjedhje me Ramën, pranuan zgjedhjet dhe u futën në Parlament. Shqiptarët nuk besoj se janë të kënaqur se e kanë lënë vendin pa opozitë. Një vend pa opozitë është më keq se një qeveri hajdute.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
