Abuzimi i 15-vjeçares në Mirditë, familjarët e 5 të akuzuarve: Histori e sajuar për azil në BE

6 muaj më parë në Mirditë u denoncua një histori tronditëse, ku një 15- vjeçare akuzoi se ishte abuzuar në vazhdimësi nga 5 persona, tashmë të arrestuar. Në reagimin e parë për ngjarjen, familjarët e të dyshuarve, mes të cilëve edhe një 17 vjeçar, thonë se akuzat janë të sajuara.

6 muaj pas zbulimit të abuzimit seksual me një 15-vjeçare në Mirditë, familjarët e 5 personave të akuzuar kanë thyer heshtjen për herë të parë për historinë tronditëse.

Nëna e 17-vjeçarit nën akuzë, pranon se i biri ka qenë në një lidhje dashurie me vajzën, por sipas saj, ai kurrë nuk e ka kërcënuar apo shantazhuar atë.

"Një lidhje mes dy adoleshentëve. Nuk e ka kërcënuar. Kanë pasur biseda mes njëri-tjetrit si dy të dashuruar, nuk ka as video."

Ndërsa babai i Artan Kaçorrit thotë se e gjithë kjo histori është sajuar nga familja e 15-vjeçares me qëllimin e vetëm përfitimin e azilit në vendet e BE.

"Nuk masakrohet një fshat i tërë, nuk masakrohet një minoren, siç është vajza e atij zotërisë, për një azil, për një jetë më të mirë."

Familjarët e 5 të akuzuarve për abuzimin seksual kërkojnë sa më parë përfundimin e procesit gjyqësor, pasi pretendojnë se të afërmit e tyre mbahen në burg padrejtësisht.

"Dua drejtësi, djali im nuk duhet të qëndrojë atje kot."

Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe 17 vjeçari me iniciale A. Gj akuzohen për marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç të kryer në bashkëpunim.

Dosja hetimore është dërguar për gjykim, por tre seancat e parapraprake gjyqësore kanë dështuar për shkak të mungeses së prokurorit Ylli Pjeternikaj, ndaj të cilit avokatët e të arrestuarve kanë bërë ankim në organet e larta të drejtësisë.