Tërmeti i 29 shtatorit 2021 dëmtoi 171 banesa dhe 8 pallate në Bulqizë

Prej dy vitesh pallati me 45 familje në Bulqizë është shpallur i pabanueshëm për shkak të tërmetit të 2019.

Por, pavarësisht se Instituti i Ndërtimit tha se në këtë godinë nuk mund të banohet, dhjetëra familje rrezikojnë çdo ditë jetën duke banuar aty.

Tërmeti i fundit i datës 29 shtator me magnitudë 4.5 të shkallës Rihter e dëmtoi më tej pallatin, ndërsa perfekti i qarkut të Dibrës Nexhbedin Shehu apelon bashkinë Bulqizë që të marrë masa për të nxjerrë familjet jashtë.

"Edhe Instituti i ndërtimeve e ka cilësuar të pa banueshëm. Edhe para 2 javësh i kam kërkuar ta rrethojnë me shirit e të bëjnë roje. Gjithsesi këta njerëz janë të informuar dhe marrin qira banese."

Nga ana tjetër lëkundjet në Bulqizë kanë shkaktuar jo pak dëme në të gjithë territorin, ku deri më tani rezulton se janë dëmtuar 171 banesa dhe 8 pallate.

"Plus kësaj janë dhe 8 pallate në Mardanesh që janë pallate të amortizuar ndër vite. Pra gjithsej 171 ankesa qytetarësh për dëmtime dhe kemi 68 familje të tjera nga 8 pallatet e Martaneshit dhe pallatit të Bulqizës."

Institucionet në Bulqizë thonë se po bëjnë llogaritjet financiare në lidhje me shkallën e dëmeve që shkaktoi tërmeti./Ora News/