Shkodra përkujton të lumët, nunci apostolik: Askush nuk mund të jetë krenar për të shkuarën komuniste
Askush nuk duhet të ndihet krenar për të shkuarën dhe pasojat që shkaktoi komunizmi në Shqipëri, veçanërisht ndaj klerit. Ky ishte mesazhi i fortë të dërguarit të Papës në vendin tonë, ndërsa bashkë me qindra besimtarë të krishterë përkujtuan në Shkodër 5-vjetorin e lumnimit të martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri.
Nga qelitë ku u vendos fati i tyre, këtë herë dolën jo si trupa të gjallë, por portretet e tyre.
"Ju nënshtruan torturave të shumta për shkak të Krishtit."
Martirët e Kishës Katolike që dhanë jetën për fe e atdhe lanë mjediset e ish-degës së Brendshme, për të ndjekur rrugën drejt varrezave katolike të Rrmajit, aty ku u pushkatuan nga regjimi komunist.
Proçesioni i organizuar nga Kisha Katolike me portretet e martirëve dhe relikët e tyre, erdhi në kuadër të 5 vjetorit të shpalljes të lumë nga Papa Françesku.
Nunci apostolik, imzot Luigi Bonazzi, tha se shembulli i martirëve duhet ti udhëheqë sot të gjithë për të ndërtuar të ardhmen në këtë vend, e për ta parë të zhvilluar.
“Një shqiptar mund të kërkojë frymëzimin dhe ndihmën e tyre për të ndërtuar Shqipërinë, për të punuar për zhvillimin dhe progresin e vendit sot. Ata janë në gjendje të ndërhyjnë, janë si një urë nga qielli në tokë, për të ndihmuar këdo që ka besim, që mos të ndalet për një Shqipëri të mirë, ku të gjithë ndjehen në shtëpinë e tyre.”
Ai nuk preferon të komentojë faktin që ende shteti shqiptar si ka dënuar siç duhet krimet e komunizmit, duke theksuar se ju takon shqiptarëve ta gjykojnë atë kohë.
“Unë nuk mund të hyj në këtë çështje që i përket historisë së Shqipërisë dhe duhet të jetë e jetuar dhe gjykuar nga shqiptarët. Eshtë e dukshme që asnjë sot nuk mund të ndjehet krenar për këtë të shkuar.”
Proçesioni përkoi me 31 vjetorin e meshës së parë, kremtuar nga dom Simon Jubani që riktheu lirinë e besimit.












