Investitori ende në kërkim, IKMT shemb tri objektet pa leje në Himarë
IKMT shembi sot tri objektet pa leje që po ndërtoheshin në Himarë dhe për të cilat u arrestuan 11 persona dhe më pas u lanë në gjendje të lirë nga gjykata e shkallës së parë në Vlorë.
Ndërkohë vazhdon të jetë ende në kërkim pronari i objekteve që ka bërë investimin për ndërtimin e tyre.
Blutë kishin marrë informacion se punimet në kompleksin e investuar nga shtetasi Vezir Gjikolaj po zhvilloheshin në shkelje të ligjit, çka është vërtetuar nga kontrolli i ushtruar aty.
32-vjeçari nga Himara është shpallur në kërkim për akuzën e ndërtimit të paligjshëm.
Zbulimi i kompleksit pa leje në një prej zonave turistike të shumë lakmuara në bregdet ka evidentuar edhe dështimin e institucioneve që kanë për detyrë monitorimin e territorit.
Ndaj policia ka vënë nën hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës dy specialistët e IMT-së.
