I akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoja, sekuestrohen pasuritë e Redjan Rrajës dhe familjarëve të tij

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosu me 23 tetor  2021 ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit Redjan Rraja dhe familjarëve të tij.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bazuar në parashikimet e Ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ka regjistruar në datën 22.01.2021 procedimin pasuror nr. 2, në ngarkim të pasurive të Rrajës dhe familjarëve.

- Pasuria e llojit apartament, (Njësi Tregtare) me sip. 76 m2, e ndodhur në Tiranë.

-Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 30 m2, e ndodhur në Tiranë.

-  Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 127.5 m2, e ndodhur në Tiranë.

- Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.

- Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.

- 2 (dy) Automjete të tipit “Audi - A8”.

-Automjet i markës “Bentley” tipi Continental.

-Një orë dore tip “Roleks”.

- Shuma prej 2750 Euro.

Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Hetimet vazhdojnë me qëllim evidentimin e pasurive të tjera që shtetasi R. Rraja dhe persona të tjerë të lidhur mund të kenë në zotërim apo në pronësi.

Redjan Rraja së bashku me Ariol Halilaj janë marrë të pandehur për atentatit ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, ngjarje e ndodhur në datë 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës.

Nga atentati mbetën të plagosur Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, ndërsa shoferi i prokurorit, Andi Maloku humbi jetën në spital si pasojë e breshërisë së plumbave që u zbrazën.

Rraja dhe Halilaj akuzohen për vrasje të funksionarëve publik të mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese me pasojë vdekjen, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe grup i strukturuar kriminal.