KQZ mbyll rivlerësimin e fletëve të 25 prillit: 2.8% e shqiptarëve pa shenja gishti. Në prokurori kush votoi dy herë
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nga 1 milion e 602 mijë zgjedhës 2.8 për qind e tyre nuk u është bërë e mundur identifikimi i shenjave të gishtit. Sipas të dhënave zyrtare shkak është bërë dëmtimi i tyre ose mosha e madhe.
Ndërkaq kryekomisioneri Ilirian Celibashi ka deklaruar se nga identifikimi elektronik janë zbuluar 1006 raste që dyshohet se kanë votuar më shumë se dy herë. Për mediet ai specifikoi rastet që do të shkojnë për ndjekje penale dhe ato për masë administrative.
"Nuk do të thotë që janë 1006 persona, por janë 1006 shenja gishtërinjsh, të cilat dyshohet se kanë ngjashmëri. Shenjat e gishtit që janë gjetur në më shumë se dy qendra votimi meritojnë adresimin e kësaj çështjeje te organet e prokurorisë."
Ne rivlerësim janë hapur 10% e qendrave te votimit. Në sitën e verifikimit të fletëve të votimit kanë kaluar 10% e qendrave të votimit, dhe në to janë konstatuar fletët e hedhura tepër apo më pak nga sa u gjetën në kuti.
"Prej këtyre kemi identitet të njëjtë në qendra të ndryshme të votimit të 20 zgjidhësve. Pra janë 20 zgjidhës të cilët dyshohet se kanë vepruar në dy qendra votimi të ndryshme. Janë 44 shenja gishti të skanuara për 518 herë. Pra 1 shenjë gishti lidhet me më shumë se 2 karta identiteti."
Nje problem i theksuar këtë vit ne procesin zgjedhor kanë qenë votat e pavlefshme me rreth 83 mijë të tilla. Por ngatërresa më e madhe kanë rezultuar votimi për me shume se një subjekt.
"41 % të këtyre fletëve të votimit janë të pavlefshme, sepse janë votuar për më shumë se një subjekt zgjedhor. Pra 25% e fletëve të votimit të pavlefshme janë të tilla, sepse është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e subjektit tjetër zgjedhor."
Me rivlerësimin e fletëve të votimit KQZ ka mbyllur procesin për zgjedhjet e 25 prillit, duke ia lënë vendin debateve në komisionin e posaçëm parlamentar për hetimin e tyre.
/Ora News/


