Gjykata Kushtetuese rrëzon pretendimin për pavlefshmërinë e 30 qershorit. Nuk ka zgjedhje të reja
Gjykata Kushtetuese rrëzon përfundimisht mundësinë për ripërsëritjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019 ku PD dhe LSI bojkotuan votimet.
Me një publikim të shkurtër i jepet fund shpresave të opozitës për tia hequr mandatin e 60 kryetarëve të bashkive.
Por detajet që sollën rrëzimin e pretendimeve të shoqatës së bashkive të kryesuar nga Voltana Ademi do të duhet të zbardhen brenda 30 ditësh duke i lënë ende të paqarta detajet se përse erdhi një vendim i tillë por edhe hapat që do të hidhen më tej.
Mbetet për tu parë nëse organi me i lartë i drejtësisë vendimin e ka bazuar në opinionin e Venecias i cili dha tre konkluzione kryesore:
Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë të shqyrtojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve.
E drejta e partive të marrin pjesë në zgjedhje nuk është detyrim;
Bojkoti nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të justifikojë cenimin e periodicitetit të zgjedhjeve;
Bojkoti nuk mund të kthehet në leve të partive për të bllokuar zgjedhjet.
Vendimi i arsyetuar do të shërbejë edhe si një moment kur do të marrin zgjidhje rasti i paprecedentë ku gjashtë bashki janë pa kryetar.
Ilir Meta ndoshta do të qartësojë veprimin e tij kushtetues për të dekretuar ose jo një datë për zgjedhje ose jo në këto bashki, pikërisht mbi arsyetimin dhe rekomandimin e gjykatës kushtetuese.
Presidenti vendosi në atë kohë të shtyjë zgjedhjet e 30 qershorit duke dekretuar datën 18, çka u refuzua nga PS dhe KQZ.
Ky vendim do të shërbejë edhe si një zgjidhje për kriza të ardhshme politike, por edhe si një leksion ndaj forcave politike që mund të tentojnë sërish bojkotimin e zgjedhjeve
Njoftimi i gjykates
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt:
1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecies,
VENDOSI:
- Rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.”
