Shpërthen bombola e gazit në Voskopojë, plagoset kryefamiljarja dhe dy të afërm që i kishin shkuar për vizitë

Tre persona, me lidhje familjare me njëri-tjetrin, mbetën të plagosur në Korçë nga shpërthimi i një bombole  gazi në banesë.

Policia informon se rreth orës 11:20, në Spitalin e Korçës kanë shkuar me djegie trupore, si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi shtetasit F. L., rreth 63 vjeç, banues në fshatin Goskovë, K. B., rreth 30 vjeç, banues në fshatin Voskop dhe shtetasja A. N., banuese në Voskopojë.

Të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Çfarë ndodhi në banesë?

Nga të dhënat e para të policisë rezulton se tre të plagosurit kanë qenë në fshatin Voskopojë, në banesën e shtetases A. N., në momentin kur ka shërthyer bombola e gazit.

Ora News mëson se zonja e shtëpisë ka dashur të provojë kaldajën me gaz dhe kur e ka hapur i ka shpërthyer.

Shtetasit e tjerë janë të afërm të cilët kishin shkuar për të ndihmuar në arredimin e shtëpisë, dhe kanë qenë afër saj në momentin e shpërthimit, ku kanë marrë dëmtime nëpër duar.

Ndërsa e zonja e shtëpisë ka pësuar djegie në fytyrë.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.