Bushi sqaron ku luan Muçi dhe ndez rivalitetin: Jemi më të fortë se Kosova

Shqipëria e 21-vjeçarëve do të luajë dy ndeshje në eliminatoret e Europianit këtë muaj. Fillimisht do të jetë Slovenia në transfertë e më pas në “Fadil Vokrri” ndaj Kosovës për të cilët trajneri i kuqezinjve lëshoi sfidën që tani ndërsa publikoi listën.

Fillimisht Bushi sqaroi se Ernest Muçi nuk do të jetë me kombetaren e Rejas por me Shpresat në këto dy ndeshje.

“Derisa është këtu, atëherë do të jetë me ne. Nëse ekipi A ka dëmtime, atëherë Reja ka marrë lojtarë nga U21. Ne nuk kemi shumë alternativa në sulm, kemi pasur problem kryesor këtë edicion. Kemi improvizuar Karricën, sulmues i vetëm është Muçi dhe është problem nëse nuk është, por kam besim se do të jetë me ne”.

Për Bushin, një ekip si Shqipëria nuk mund të ketë objektiv kualifikimin edhe pse e ka ëndërr por të furnizojë elementë të talentuar për skuadrën e parë të Shqipërisë.

“Objektivi jonë do të jetë vendi i dytë, por në letër Çekia, Sllovenia dhe Anglia janë më të fortë. Kemi lojtarë cilësorë por në momentin që kemi mungesa, kemi probleme. Nëse kemi grupin e plotë bëjmë mirë. Nuk mund të kemi objektiva si Franca, qëllimi është të marrim sa më shumë pikë. Por, objektivi i Federatës është të çoj lojtarë në ekipin e parë. Nëse mundim Sloveninë kemi premisa për vendin e dytë dhe në rast se jemi në lojë, atëherë në mars mund të marrim edhe Kumbullën me Brojën pasi ekipi A është pushim. Këtu ndjehem mirë dhe jam krenar. Jam i fokusuar te U21, kam edhe ëndrrën për t’u kualifikuar me U21”.

Në fund, Alban Bushi flet edhe për përballjen e dytë me Kosovën U21 teksa tha se nuk ka konkurencë me ta por hap një debat ne vigjilje te duelit me dardanet.

“Përplasje me Kosovën për lojtarë? Kemi kontaktuar kur kanë qenë të pavendosur, disa kanë pranuar, të tjerë jo dhe është normale. Nëse do ishte një kombëtare do të kishim një ekip shumë të fortë. Ne jemi më të fortë se Kosova sepse i kemi mundur dy herë edicionin e kaluar”, deklaroi trajneri i Shpresave./Ora News/.