SPAK zbulon abuzimin me rindërimin në Tiranë. Arrestohen inspektorët, pezullohet administratori i Petrelës

SPAK zbulon një rast të abuzimit me fondet e rindërtimit në Bashkinë e Tiranës. Kreu i Njësisë Administrative të Petrelës, Sokol Kupi dhe ekspertë pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë akuzohen se kundrejt 2 mijë eurove kanë ndërhyrë me qëllim rrijen e klasifikimit të nivelit të dëmeve të një banese që ishte prishur më parë si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së. Ata kanë ndërhyrë që në dokumente të bëhej sikur banesa ishte prishur nga tërmeti me qëllim fitimin e grantit të rindërtimit.

Tirane- SPAK zbulon një rast të abuzimit me fondet e rindërtimit në Bashkinë e Tiranës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar “Pezullimin e ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik”, dhe detyrim paraqitjeje ndaj Sokol Kupit, Administrator i Njësisë Administrative Petrelë.

Po ashtu SPAK ka vendosur caktimin e masave “Arrest në burg” për personat nën hetim Arlind Muxhiu dhe Fatjon Haxhiu, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe për personin nën hetim Dhimitri Papa, me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Po ashtu, SPAK ka caktuar masën e  “Arrest në shtëpi”, për personin tjetër nën hetim Kristaq Kali me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Nga hetimet rezulton se personat nën hetim në vitin 2020 në mënyrë të vazhdueshme, kanë bërë përpjekje për të mundësuar kryerjen e veprimeve të paligjshme me natyrë korruptive ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Nga provat e deritanishme ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se ata kanë ndërhyrë tek punonjësit e Institutit të Ndërtimit, Njësisë Administrative Petrelë në varësi të Bashkisë Tiranë. 

"Qëllimi ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt shumën prej 2000 euro, banesë që në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së.

Ata e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar nga granti i ri ndërtimit" informoi SPAK.

Në kryerjen e këtyre veprimeve ata janë ndihmuar nga funksionarë të Njësisë Administrative Petrelë, njësi e cila nuk ka vendosur skualifikimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit.