"S'ka shtëpi pa marrëveshje", banorët e "5 Majit" vijojnë rezistencën: I kemi me djersë, s'mund të na kërcënojë Veliaj
Banorët e 5 majit vijojnë të dalin çdo ditë në protestë për mbrojtjen e banesave të tyre deri në arritjen e një marrëveshjeje që i kompenson ata me vlerën e çmimit të tregut.
"Barake e kam, por e kam me mund e me djersë të ballit."
"Me këto jetojmë ne, ato barake që kemi na duhen."
"Për sytë e atyre kanë qenë barake, për ne kanë qenë vila."
Kështu i janë kundërpërgjigjur banorët e "5 Majit" kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili një ditë më parë u përcolli një mesazh nëpërmjet Facebookut të tij .
"Të premtoj që të gjithë banorët e kanë më të shtrenjtë atë barakën e vet, sesa milionat e Erion Veliajt dhe pushtetarëve qoftë të majtë, qoftë të djathtë. I vlen më shumë baraka me rehatinë e vet sesa vilat që i ka nëpër resorte luksoze."
Banorët e “5 Majit” thonë se do të vijojnë rezistencën në mbrojtje të banesave të tyre deri në arritjen e një akt-marrëveshjeje që i kompenson ata me vlerën e çmimit të tregut.
"Për çfarë arsye më jep 80 kur unë kam 150? Ku është arsyeja, logjika?"
Ata thonë nuk do të lejojnë të prishin shtëpitë pa pasur një kontratë që u siguron atyre se ku do të shkojnë.
"Hapat ligjorë i kemi ezauruar me bashkinë e Tiranës prandaj kemi dalë në protestë."
"Hajde flasim të qajmë hallin, t'i kërkojmë dëmshpërblimin 100% sepse ne s'po na bie tërmet, tërmetin po na i sjellin ata.
Banesat në 5 maji pritet të shemben pasi sipas një projekti të bashkisë aty është parashikuar zonë në zhvillim që parashikon ndërtimin e pallateve për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntori të 2019.