Dështimi i Veliajt me parkimet, KLSH zbulon shkeljet: Bizneset dhe ndërtuesit përdorin pa leje hapësirën publike
Policia bashkiake dhe Tirana Parking ka mbivendosje kompetencash, parkingjet në lagje përdoren nga bizneset dhe në raste të tjera i bllokojnë ndërtuesit. Këto janë disa nga shkeljet që KLSH ka konstatuar në bashkinë e Tiranës sa i përket qarkullimit.
"Do të fusim për herë të parë edhe një sistem të ri të menaxhimit të hapësirave publike, kur vjen puna te parkingjet qytetarët do të pajisen me një kartë të rezidentit," është shprehur Veliaj.
Karta e rezidentit u cilësua si një risi në Tiranë së paku për të siguruar një vend parkimi. Por KLSH në auditimin e realizuar në vitet 2018 – 2020 nënvizoi se për banorët e lagjeve nuk ka hapësira. Madje shpesh vendet shfrytëzohen nga biznese të ndryshme.
Por dhe vendet e dedikuara për qëndrimin e automjeteve janë të pamjaftueshme. Sipas auditimit në kryeqytet janë 250 mijë makina, me vetëm 24.000 vende parkimi .
Situata vështirësohet dhe nga ndërtimet pa kriter pasi kompanitë shfrytëzojnë shumë vende parkimi pa pasur një leje.
Nga 18 raste të konstatuara vetëm 2 investitorë kanë paraqitur dokumentacionin për njoftim të kryerjes së punimeve dhe zaptim të vendeve të parkimit. E sërish të dëmtuar janë banorët.
Një tjetër shqetësim i zbardhur në dokumentin e KLSH lidhet me pagesën për parkingjet. Që prej vitit 2018 ajo bëhet vetëm duke dërguar një SMS me targën e automjetit dhe zonën përkatëse.
Por në rast se qytetari nuk ka kredit të mjaftueshëm nuk mund të rezervojë një vend. KLSH konstaton se Bashkia dhe operatorët telefonikë nuk kanë marrë asnjë masë në rast se ndërpritet sinjali pavarësisht ankesave të qytetarëve.
Edhe vendosja e rregullave për parkim apo qarkullim në Tiranë është në amulli të plotë, kjo për shkak se ka mbivendosje kompetencash mes Policisë Bashkiake dhe Agjencisë Tirana Parking. Një situatë e tillë mund të shkaktojë vendosjen e dy gjobave për të njëjtën shkelje.

