Batërdia me tokat në bregdet, ja skema, fut e nxirr dokumente në dosje, për të fryrë m2 të tokës në Gjilekë

Abuzimet me pronat në bregdetin Shqiptar, kanë sjellë një batërdi me plotësimin e dokumentacionit të ngastrave të tokës, në zonën e Gjilekës në Dhërmi.

Çështja penale që solli arrestimin e drejtuesit të Hipotekës, Klodian Troci, ish-drejtuesin e D.A.M.T-it në Qarkun e Vlorës, Bardhyl Gjika, specialistin juridik të Hipotekës, Kreshnik Mino dhe përfituesin e tokës Spiro Duni, nxori zbuluar skemën e falsifikimit të dokumenteve, duke regjistruar sipërfaqe toke të paqena.

Sipas hetimeve të kryera, Bardhyl Gjika,në cilësinë e Drejtorit të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Qarkun e Vlorës,  në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë vitit 2020 e në vijim kanë arritur të nxjerrin nga arkivat e kadastrës së Këshillit të Qarkut Vlorë, dokumente origjinale si Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim, Formularë nr.6 etj.

Këto dokumente kanë dalë për interes të lidhjeve shoqërore e miqësore të tyre, banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi, kryesisht zonat e Bregut.

Këto dokumente këta shtetas në bashkëpunim me lidhje shoqërore të tyre i kanë riprodhuar duke hequr origjinalet e ndara sipas ligjit.7501 dhe zëvendësuar ato me dokumente të riprodhuara dhe të falsifikuara, duke shtuar në to sipërfaqe fiktive prej mijëra metra katror toka në bregdet.

Në këmbim të përfitimeve të paligjshme nga personat të interesuar, dokumentet e falsifikuara janë rifutur në arkivin e Kadastrës së Qarkut Vlorë si dokumente origjinale dhe nga ana e personave të interesuar është kërkuar kopje e njehsuar e tyre në rrugë zyrtare me kërkesë në Kadastrën e Qarkut Vlorë.

Në vijim nga ana e Drejtorit të kësaj zyre, Bardhyl Gjika, është lëshuar kopje e njehsuar e tyre dhe me shkresë përcjellëse i janë dhënë personave të interesuar ose i janë dërguar zyrtarisht, Bashkisë Himarë ose Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, me qëllim për t'u përdorur më pas për dhënien e akteve të reja të pronësisë nga ana e Bashkisë Himarë dhe hipotekimin e tyre A.SH.K. Vlorë.

Ku sipas të dhënave janë përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore ose kullota në bregdet. Sipërfaqet e tokës, fryheshin në mënyrë artificiale, duke ju shtuar nga 1 mijë e deri në mbi 5 mijë metra, nga çfarë kishin në realitet palët në terren. 

Në dosjen hetimore thuhet se një prej personave i quajtur Dhimitër Malo, kishte përfituar një sipërfaqe prej 4885 m2 në Dhërmi. Ky përfitim kishte rrjedhur në bazë të ligjit 7501, por prokuroria shprehet se Malo qysh në vitin 1960 ishte zhvendosur nga Himara në Tiranë.

Sipas dosjes hetimore, Klodian Troci, dhe zyrtare të tjerë të Kadastrës, akuzohen se kanë tjetërsuar pronësinë e 63 mijë metrave tokë në zonën e bregut të Gjilekës në Dhërmi, duke ja dhënë personave me lidhje të forta politike dhe biznesi.

Në një rast Spiro Duni, ka përfituar përmes skemës fut e nxirr, dokumente nga D.A.M.T-i i Qarkut Vlorë një sipërfaqe toke 1510 metra katror. Në njërin rast, dokumenti i marrjes në përdorim të tokës me sipërfaqe 670 m2 është tjetërsuar, duke i vënë një dysh përpara dhe duke rritur, sipërfaqen në 2.670 m2.

Ndërkohë në rastin e dytë, një sipërfaqe prej 9.910 m2 e regjistruar në vitin 1994, është njehsuar në vitin 2020 me një sipërfaqe totale prej 52.510 m², duke i shtuar pronës plot 42.600 m2 përmes korrigjimeve. Përfitues i kësaj sipërfaqe toke është Thoma Duni, djali i Spiro Dunit.

Batërdia me tokat në bregdet, ja skema, fut e nxirr dokumente në