Banorët e Gosës në Rrogozhinë protestë për ndërprerjen e energjisë: Ka shumë vite që ndodh kjo, asnjë masë

Prej vitesh banorët e njësisë Gosë në Rrogozhinë përballen me ndërprerjen e vazhdueshme të energjisë Elektrike.

Në lidhje me ketë situatë, ata dolën të enjten në protestë para nënstancionit elektrik të Rrogozhinës.

"Jemi me pleq, me  fëmijë të vegjël, në 5 të natës kur t'i shkrepet. Kemi shumë vite me këtë punë, nuk e ka zgjidhur njeri."

Thonë se energjia ikën për orë të tëra, duke u shkaktuar edhe probleme.

"Te ne vijnë dritat edhe ikin. Ne i bëjmë bukët gati, sa bëhet buka për t'u futur ikën dritat, prishet buka. U bënë 5 ditë rresht që ndodh kjo punë."

Ata shprehen se në asnjë rast OSHEE nuk njofton para se energjia të ndalet në mënyrë që të marrin masat e tyre.

"Harroje lajmërimin."

Në mbështetje të banorëve të cilët protestuan ishte edhe kreu i Partisë Demokratike të degës së Rrogozhinës Ferdinand Saraçi.

Ne lidhje me këtë problem Ora News ka kontaktuar edhe OSHEE, e cila deklaron se zona ka pasur probleme vetëm të mërkurën për shkak të një pamundësie në ndërhyrje, ndërsa vijon furnizimi i rregullt me energji elektrike.