Daci: Venecia dha opinion me qasje politike për ’30 qershorin’, Kushtetuesja ta injorojë këtë pjesë
Për juristin Jordan Daci diskutimi në gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit është shkencor në karakter dhe jo politik.
Në një intervistë me gazetaren Matilda Mcini në Ora News, Daci theksoi se komision i Venecias e ka të vështirë që të shkëputet nga qëndrimi politike dhe jep argumente gjysmë juridikë dhe gjysmë politikë për këtë çështje.
Daci: Ne kemi kërkuar kushtetutshmërinë e organeve vendore të dala në 30 qershor 2019. Seancat e mëparshme u ndërprenë në pritje të vendimit këshillues të Komisionit të Venecias. Pasi u mor vendimi, dje palët parashtruan mendimet tona sa i takon këtij opinioni. Ne kemi kërkuar pranimin e kërkesës. Gjykata është tërhequr për të marrë vendim që del në 30 ditë. Diskutimi në gjykatën Kushtetuese është shkencor në karakter. Në këtë aspekt kur Kushtetuesja i drejtohet Venecias, do të sjellë para gjykatës nga pikëpamja teorike sqarime mbi këtë çështje. Por duket se Venecia e ka të vështirë që të shkëputet nga qëndrimi politike dhe jep argumente gjysmë juridikë dhe gjysmë politikë.
Gjykata Kushtetuese, nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon mendime të karakterit politik, sepse Kushtetuesja nuk merret me politikë. Ne kemi konstatuar që Venecias dështoi të jepte një përgjigje për pyetjen e dytë. Për pyetjen e parë Venecia dha një përgjigje tjetër nga ajo që ne kërkuam. Gjuha e Venecias udhëhiqet nga një gjuhë politike dhe nuk i hyn në punë askujt. Unë kam kërkuar që Gjykata kushtetuese të injorojë argumentet që kanë qëndrime politike brenda. Çështja ka të bëjë me demokracinë e vendit dhe kushtetutën, e jo me partitë.
Daci shtoi se do të ishte mirë që të kishte një Vetting politik, sepse të gjithë të këqijat këtij vendi i kanë ardhur nga politika.
Daci: Do të ishte mirë që të kishte një Vetting politik, sepse të gjithë të këqijat këtij vendi i kanë ardhur nga politika. Edhe drejtësia është masakruar nga drejtësia. U përpoqëm që me reformën në drejtësi, tentuam të rregullojmë edhe politikën, por shkatërruam drejtësinë. Prandaj duhet të kthehemi nga origjina e problemit që është drejtimi i shtetit. Thelbi është që individët që janë në politikë dhe kanë vënë pasuri të pajustifikueshme, i kanë vënë ato në mënyrë jo të ndershme.

